Hetimi për fondet: SPAK-u përqendron lupën mbi Flamur Nokën dhe burimet e financimit të PD-së

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 30.06.2025, 10:39

SPAK-u ka nisur hetim penal mbi kontratën 6 milionë dollarëshe të lobimit të PD-së, duke kërkuar zyrtarisht dokumentet e firmosura nga Flamur Noka dhe burimet e dyshimta të financimit.

SPAK-u ka hapur një hetim penal mbi një marrëveshje lobimi që kap shifrën prej 6 milionë dollarësh, të lidhur nga Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hetimi fokusohet në kontratën e nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili është firmëtari zyrtar në Shqipëri për këtë angazhim ndërkombëtar.

Kontrata në fjalë u firmos më 4 prill 2025 dhe përfshin një periudhë dyvjeçare bashkëpunimi me kompaninë lobuese “Continental” me bazë në Washington DC. Në SHBA, ajo është garantuar nga shtetasi amerikan Nuredin Seci, ndërsa në Shqipëri përgjegjësinë zyrtare e mbart Flamur Noka.

Burimet zyrtare të Partisë Demokratike kanë deklaruar se financimi ka ardhur përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, që sipas tyre është i krijuar dhe drejtuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Sipas deklaratave të partisë, ishte ky fondacion që ndërmori nismën për të kontraktuar shërbimet e lobimit në emër të PD-së.

SPAK-u reagoi menjëherë pas daljes së lajmit në media më 24 prill dhe brenda pak orësh njoftoi zyrtarisht se kishte nisur verifikimet. Megjithatë, procedimi penal mori një kthesë të re më 28 maj, kur Prokuroria e Posaçme i dërgoi një kërkesë zyrtare Flamur Nokës për të dorëzuar kopjen e kontratës dhe çdo dokument mbështetës.

Hetimet kanë hyrë në një fazë më të thelluar që nga mesi i qershorit, me SPAK-un që ka administruar tashmë disa nga të dhënat dokumentare të Partisë Demokratike. Të gjitha këto veprime kryhen në kuadër të një procedimi penal që mban numrin 143.

Roli i opozitës në këto zgjedhje mbetet nën vëzhgim të rreptë, jo vetëm për përmbajtjen e programit elektoral, por edhe për mënyrën e financimit të aktiviteteve të saj politike. SPAK-u po e sheh me interes të veçantë përfshirjen e strukturave të PD-së në transaksione që mbajnë dyshime për burimin e fondeve.

Nënshkrimi i kësaj kontrate nga vetë sekretari i përgjithshëm i partisë ngre pikëpyetje serioze për transparencën e përdorur dhe për nivelin e kontrollit të brendshëm në PD-së. Flamur Noka, një prej figurave, i cili nuk ka qenë në qendër të vëmendjes për mirë, sidomos pas përplasjeve politike me Partinë Socialiste në Vorë ditën e zgjedhjeve si edhe shumë konflikte të tjera, ndodhet tani në qendër të një hetimi që mund të ketë pasoja të gjera politike.

Në sfond të kësaj skeme që po hetohet, ngrihen dyshime të forta për mënyrën sesi PD-ja po financon fushatat dhe operacionet e saj elektorale. SPAK-u do të përpiqet të zbardhë jo vetëm shumat e përfshira, por edhe origjinën reale të këtyre parave.

Integriteti i PD-së vihet kështu përballë një prove të madhe. Nëse burimet financiare rezultojnë të dyshimta ose të manipuluara, kjo mund të cënojë thellësisht besueshmërinë e partisë, sidomos në një klimë politike ku transparenca është gjithnjë e më e kërkuar nga opinioni publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit