Shqipëria ka nivelin më të ulët të produktivitetit në Ballkan, me paga të ulëta, mungesë motivimi dhe një sistem punësimi të mbushur me klientelizëm dhe korrupsion.
Shqipëria renditet në fund të listës për produktivitetin e punës ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas një analize të publikuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Sipas të dhënave të periudhës 2020-2023, vendi ynë arriti një prodhim mesatar prej vetëm 18 dollarësh për orë pune, shumë më pak se mesatarja rajonale prej 27 dollarësh dhe larg nivelit të Bashkimit Europian prej 68 dollarësh.
Krahasuar me periudhën 2014-2016, rritja e produktivitetit në Shqipëri ka qenë minimale, duke dëshmuar mungesën e përparimit të qëndrueshëm. Ndërkohë, vendet fqinje si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përmirësuar ndjeshëm rendimentin për orë pune, duke thelluar hendekun cilësor mes Shqipërisë dhe rajonit.
Arsyeja kryesore për këtë performancë të dobët lidhet me strukturën joefikase të ekonomisë, ku dominon bujqësia me vlerë të shtuar të ulët dhe tregtia pa inovacion. Investimet në teknologji, automatizim dhe transformim dixhital mbeten më të ulëtat në rajon, duke kufizuar kapacitetin prodhues dhe zhvillimin ekonomik.
Në terren, kjo nënkupton një fuqi punëtore të shpërqendruar dhe të demotivuar. Punonjësit përballen me paga të ulëta, mungesë stimulimi dhe trajtim nënçmues nga eprorët. Në mungesë të një klime pune meritokratike dhe transparente, shumë të rinj dhe profesionistë po e shohin emigrimin si mundësinë e vetme për një jetë më të mirë.
Në fakt, emigrimi masiv ka goditur thellë strukturën e tregut të punës, duke zbrazur vendin nga shtresa më e kualifikuar. Paralelisht, niveli i lartë i informalitetit në sektorin privat ka penguar zhvillimin dhe ka ushqyer rrethin vicioz të produktivitetit të ulët. Bizneset që veprojnë jashtë skemës formale, shpesh nuk investojnë në rritjen e kapaciteteve apo trajnimin e punonjësve.
Sistemi aktual i punësimit, për më tepër, perceptohet gjerësisht si i padrejtë, korruptiv dhe klientelist. Pozicionet ofrohen jo mbi bazë aftësie, por në funksion të interesave politike apo lidhjeve personale. Puna nuk është më një mjet për të gjeneruar prodhim dhe fitim, por një instrument për të avancuar agjendat partiake.
OECD e konsideron emergjente nevojën për investime në arsim cilësor dhe trajnime profesionale, për të rritur kapitalin njerëzor dhe për të ndalur hemorragjinë e largimeve. Pa reforma të thella strukturore, që i japin fund punësimit të ndikuar politikisht dhe vënë në qendër vlerën e njeriut, Shqipëria rrezikon të ngelet gjithnjë e më larg standardeve europiane.
Nxitja e produktivitetit nuk është më një alternativë, por një domosdoshmëri për të mbijetuar në konkurrencën rajonale dhe europiane. Në të kundërt, vendi do të vazhdojë të humbasë pasurinë më të madhe që ka – njerëzit e tij.