Orbani sulmon Paradën e Krenarisë dhe akuzon BE-në për ndërhyrje në politikën hungareze

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 29.06.2025, 22:50

Kryeministri Viktor Orban e ka cilësuar Paradën e Krenarisë në Budapest si të turpshme dhe fajëson BE-në për përfshirje në organizimin e saj përmes opozitës.

Parada e Krenarisë, e zhvilluar të shtunën në Budapest, është cilësuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban si një akt “i neveritshëm dhe i turpshëm”, ndërsa ka akuzuar Bashkimin Evropian për nxitje dhe bashkëpunim me kundërshtarët e tij politikë për organizimin e saj. Sipas mediave vendase, kjo ngjarje është kthyer në një protestë të hapur kundër Qeverisë dhe një sinjal të fuqishëm opozitar.

Raportohet se mbi 100 mijë qytetarë kanë sfiduar ndalesat policore dhe kërcënimet me gjoba, duke marrë pjesë në marshimin që është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie. Kjo ngjarje vjen në një moment kritik politik, ku opozita duket se po fiton terren përballë Orbanit dhe partisë së tij.

Në një komunikim me përkrahësit e tij përmes një grupi të mbyllur online, Orbani u shpreh se politikanë të lidhur me “Brukselin” u kanë kërkuar qytetarëve të angazhohen në këtë manifestim. Ai shtoi se kjo është një dëshmi tjetër pse opozita nuk duhet të drejtojë vendin. Megjithatë, ai nuk dha asnjë provë për pretendimet që ngriti.

Organizimi i paradës është bërë nga autoritetet komunale të Budapestit, të udhëhequra nga kryetari Gergely Karacsony, i cili prej kohësh akuzohet nga Orbani si “vegël e Brukselit”. Nga ana e saj, Komisioni Evropian ka zgjedhur të mos komentojë deklaratat e Orbanit.

Kryeministri hungarez shprehu shqetësim edhe për detaje të paradës, duke përmendur me ton kritik se disa pjesëmarrës ishin veshur me taka dhe mbanin pankarta për terapi hormonale, gjë që sipas tij bie ndesh me vlerat që duhet të promovohen në shoqëri.

Marshi u ndalua fillimisht për shkak të një ligji të ri të miratuar në mars, që ndalon ngjarje të tilla me argumentin se ato nuk janë të përshtatshme për fëmijët. Megjithatë, kundërshtarët politikë e kanë përshkruar këtë ndalim si një tjetër hap drejt kufizimit të lirive demokratike, përpara zgjedhjeve të ardhshme kombëtare.

Partia e Orbanit ka mbajtur dominimin në skenën politike hungareze për më shumë se 15 vjet, ndërkohë që vendimet e fundit nxisin debate të ashpra brenda dhe jashtë vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit