Serbia përballë së vërtetës: zëri i vetmuar që kërkon njohjen e Kosovës dhe integrimin perëndimor

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 29.06.2025, 22:46

Serbia nuk mund të ecë drejt integrimit në BE pa pranuar realitetin e Kosovës dhe pa u përballur me të kaluarën e vet historike e morale.

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të ndihmojë në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe Interpoli. Në një intervistë për gazetën “Pobjeda” të Malit të Zi, ai nënvizoi se ka qenë i vetmi zë në Serbi që ka kërkuar publikisht këtë qëndrim, përballë narrativave nacionaliste dhe retorikës zyrtare.

Drashkoviç theksoi se Serbia nuk mund të përparojë drejt Perëndimit pa u përballur ndershmërisht me të kaluarën dhe pa e pranuar realitetin e Kosovës. “Kam kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, dhe që Serbia të bëhet pjesë e NATO-s,” u shpreh ai, duke shtuar se pa këtë kthesë, vendi do të vazhdojë të endet në rrugë të gabuara.

Ai kujtoi se në fillim të viteve 2010 kishte pasur shpresë se Aleksandar Vuçic do të niste një epokë të re për Serbinë, me orientim drejt integrimit evropian. Në atë kohë, Drashkoviç u mbështet në artikullin e Vuçiçit të botuar në gazetën “Danas”, ku ky i fundit pranonte se politikat e viteve ’90 kishin qenë të verbra dhe të gabuara. Sipas tij, kjo dukej si një kthesë e sinqertë.

Megjithatë, ai u shpreh i zhgënjyer se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç ishte marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, u sabotuan nga opozita dhe Kisha Ortodokse Serbe. Drashkoviç tregoi se tre peshkopë organizuan ceremoni përkujtimore për ata që firmosën marrëveshjen, ndërsa opozita, në vend që të mbështeste procesin, e përdori politikisht për të sulmuar Vuçiçin.

Ish-ministri shtoi se ka paralajmëruar prej kohësh për rrugën e gabuar që ka marrë Serbia. “I kam thënë Vuçiçit që të mos mashtrojë qytetarët me rrugë, spitale dhe shkolla, sepse nuk jetohet vetëm me bukë, por edhe me frymë. Serbia është në rënie të thellë morale dhe kulturore,” tha ai.

Ai kritikoi ashpër edhe retorikën e pushtetit ndaj qytetarëve që protestojnë. “Nga goja e presidentit deri te bashkëpunëtorët e tij dëgjojmë fjalë fyese për qytetarët që ngrihen në protesta – i quajnë ustashë, nazistë, plehra apo spiunë të huaj. Kjo është rrënimi më i madh që po përjeton vendi,” theksoi Drashkoviç.

Në përfundim, ai përsëriti se Serbia nuk mund të bëjë hapa të vërtetë përpara pa pranuar të vërtetën për Kosovën dhe pa zgjedhur qartazi rrugën euroatlantike, si një domosdoshmëri historike dhe politike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit