Situatë e mjerueshme në Gaza: foshnjat vdesin pa ushqim, fëmijët mbijetojnë në mbeturina

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 29.06.2025, 22:10

Fëmijët në Gaza po vuajnë nga kequshqyerja ekstreme, foshnjat po humbasin jetën për shkak të mungesës së qumështit dhe ndihmës mjekësore, ndërsa fëmijët më të rritur ushqehen nga mbeturinat

Në qytetin e Gazës, realiteti për fëmijët është bërë i papërballueshëm. Foshnjat nuk marrin më as qumësht gjiri dhe as formulë të përpunuar, pasi mungesa e thellë e furnizimeve ushqimore dhe mjekësore ka paralizuar sistemin shëndetësor. Infermierja australiane Christy Black, e cila po punon si vullnetare në një nga spitalet lokale, përshkruan gjendjen si "katastrofike".

Sipas Black, spitali ku ajo ndodhet nuk ka as furnizime bazë. Gratë shtatzëna nuk po marrin më formulën e nevojshme për të ruajtur prodhimin e qumështit, ndërsa foshnjat janë të dënuara të vdesin nga uria. Në dy ditët e fundit, në Gaza janë regjistruar disa raste vdekjesh mes foshnjave, për shkak të mungesës së ushqimit dhe trajtimit mjekësor.

Situata është aq e rëndë, sa fëmijë që duken dy vjeç në të vërtetë janë nëntë, të rraskapitur nga uria. Ata kërkojnë copa ushqimi nëpër mbeturina, në përpjekje për të mbijetuar. Plagët e tyre nuk mbyllen dhe sëmundjet janë në rritje, veçanërisht ato respiratore, të shkaktuara nga bombardimet e vazhdueshme dhe kushtet mizerabël në të cilat jetojnë.

“Nuk njoh asnjë sistem shëndetësor në botë që mund të përballojë këtë ferr”, thekson Black-u me shqetësim të thellë. Ajo rrëfen se çdo ditë është një përpjekje e përgjakshme për të shpëtuar jetë në një realitet që nuk ofron as shpresë dhe as mbështetje.

Megjithatë, përkundër kësaj drame të përditshme, Black-u vlerëson heroizmin e punonjësve lokalë të shëndetësisë. “Kolegët tanë këtu janë të jashtëzakonshëm,” thotë ajo. “Ata punojnë pa u ndalur, edhe kur nuk kanë asgjë në dispozicion për të ndihmuar pacientët e tyre.”

Dëshmitë nga Gaza përshkruajnë një krizë që thellohet dita-ditës, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare duket e paaftë për të vepruar me urgjencën që kërkon kjo tragjedi njerëzore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit