Një aksident ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Durrësit, pranë kryqëzimit të stadiumit "Niko Dovana", ku një motor është përplasur me një automjet. Si pasojë, drejtuesi i motorit ka mbetur i plagosur.
Sipas një dëshmitari që ka dërguar pamje nga vendngjarja, motoçiklisti ka qenë pa ndjenja menjëherë pas përplasjes dhe kalimtarët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e lagur me ujë në përpjekje për ta sjellë në vete.
Fatmirësisht, ambulanca mbërriti rreth 10 minuta pas aksidentit dhe mjekët e kanë marrë të plagosurin në barrelë. Ai ishte i plagosur në krah dhe në gju.
Dëshmitari shton se shoferi i automjetit është dukur shumë i tronditur pas ngjarjes.
Ende nuk dihen rrethanat e plota të aksidentit dhe kush ka qenë shkaktari, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet.