Ndërsa flakët vijojnë të përpijnë tregun në zonën e Plazhit në Durrës prej më shumë se një ore, disa të rinj kanë ndërmarrë një akt guximtar për të shmangur dëme të tjera materiale.
Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, ata shihen duke bashkëpunuar për të shpëtuar disa makina të parkuara pranë vatrës së zjarrit. Me përpjekje, të rinjtë arrijnë të marrin në krah dy automjete dhe t’i zhvendosin prej flakëve.
Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke djegur disa biznese në zonë. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi.