Qeveria daneze ka njoftuar masa të reja për të ndaluar keqpërdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve të rreme që imitojnë njerëzit. Në një veprim që pritet të jetë i pari në llojin e vet në Europë, Danimarka do të ndryshojë ligjin për të drejtat e autorit, duke u dhënë qytetarëve kontroll të plotë mbi pamjen, zërin dhe karakteristikat e tyre personale të riprodhuara në mënyrë digjitale.
Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, tha se askush nuk duhet të transformohet në një “kopje digjitale” pa miratimin e vet, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore janë përgjigje ndaj zhvillimit të shpejtë të teknologjisë që po e bën gjithnjë e më të lehtë manipulimin vizual dhe zanor. Propozimi ka mbështetjen e gjerë politike dhe pritet të paraqitet për konsultim para verës, me synim miratimin përfundimtar në vjeshtë.
Ligji do të mbrojë edhe artistët nga riprodhimet digjitale të paautorizuara të veprave të tyre, ndërsa do të lejojë parodinë dhe satirën. Qeveria ka paralajmëruar se nëse platformat online nuk respektojnë ligjin, do të përballen me gjoba të larta. Danimarka synon gjithashtu të nxisë vendet e tjera të BE-së që të ndjekin të njëjtin model mbrojtjeje.