Sa pak tokë, sa shumë gojë: sfida e pamjaftueshmërisë ushqimore në Shqipëri

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 29.06.2025, 11:12

Shqipëria nuk siguron dot ushqimin që i nevojitet, bujqësia mbetet e brishtë, importet rriten, ndërsa fermerët përballen me mungesë tregu dhe teknologjie

Nëse lufta troket në derë, shqiptarët thonë se janë gati të mbrojnë vendin e tyre, por nëse nuk ka bukë, me çfarë do luftojnë? Ndërkohë që sondazhi i Gallupit tregon një nivel të lartë patriotizmi mes shqiptarëve, sfida e vërtetë përballë një konflikti potencial është shumë më tokësore: ushqimi.

Historia e Shqipërisë është e mbushur me mitin e vetë-mjaftueshmërisë, por realiteti e përgënjeshtron. Edhe në ditët më të centralizuara të sistemit socialist, vendi nuk ka qenë asnjëherë realisht i aftë të prodhojë të gjithë ushqimin që i nevojitet popullsisë. Në vitin e fundit, importet ushqimore kaluan shifrën 1.5 miliardë euro. As atëherë, kur triskat dhe radhët ishin mënyra e vetme për të siguruar ushqim, nuk prodhohej sa për të gjithë.

Statistikat zyrtare e thellojnë këtë realitet. Nga 678 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 415 mijë janë të mbjella dhe vetëm 300 mijë ha ujiten. Me këtë ritëm, çdo hektar teorikisht duhet të ushqejë 4 deri në 10 njerëz, varësisht nga rendimenti dhe kultura bujqësore. Por në praktikë, prodhimi vendas nuk arrin të mbulojë kërkesën bazë.

Ndryshe nga mitet e vetë-mjaftueshmërisë, të dhënat tregojnë një histori tjetër. Shqipëria e viteve ‘30 kishte rreth 241 mijë ha tokë të punueshme, ndërsa në vitet ‘90 kjo sipërfaqe arriti në 574 mijë ha pas bonifikimeve masive. Megjithatë, me zhvillimin demografik, nga 830 mijë në 3.3 milionë banorë, sasia e ushqimit për frymë nuk u rrit në të njëjtën masë. Rritja e popullsisë u përball me rënie të kapacitetit për të ushqyer çdo qytetar.

Mungesa e traktorëve, ujitjes dhe aksesit në treg janë plagë të vjetra që nuk po mbyllen. Sot, vendi ka vetëm rreth 10 mijë traktorë përballë një nevoje për të paktën 28 mijë. Pjesa më e madhe e fermerëve kanë ferma të vogla e të pa mekanizuara, me shumë pak fuqi për të konkurruar me prodhimet e importuara.

Ndërkohë, tregu vendas mbetet i fragmentuar dhe pa planifikim. Fermerët shpesh nuk arrijnë të shesin produktet e tyre, pasi mungojnë rrjetet e shpërndarjes dhe bashkëpunimi mes tyre. Shumë prodhime mbeten pa u shitur e përfundojnë si ushqim për kafshët ose hidhen në fushë.

Në aspektin social, barra e kostove ushqimore bie mbi qytetarët. Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 50% të të ardhurave për ushqim, ndërsa në vendet e BE-së kjo shifër është shumë më e ulët. TVSH-ja 20% mbi ushqimet është një tjetër barrë e rëndë, që në Evropë ose është simbolike, ose nuk ekziston fare për produktet bazë.

Ndikimet klimatike janë një tjetër kërcënim real. Nga vitet ‘50 deri në vitet ‘90, reshjet janë ulur me 20-30% dhe temperaturat janë rritur deri në 1 gradë Celsius, çka ul ndjeshëm prodhimtarinë në zonat malore dhe kodrinore.

Sistemi aktual i prodhimit ushqimor nuk mban dot peshën e një popullsie që po varfërohet gjithnjë e më shumë. Fermerët nuk kanë mbështetje për teknologji, tregje, apo plane investimi afatgjata. Në mungesë të një strategjie kombëtare për sovranitetin ushqimor, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një vend importues.

Në vend që të ruajmë tokën bujqësore dhe të forcojmë fermat, po i lëmë ato në mëshirë të tregut informal, ndërtimit pa kriter dhe turizmit që gllabëron tokën prodhuese. Nëse nuk vendoset një prioritet i qartë për prodhimin ushqimor, pasojat do të jenë të thella, jo vetëm për ekonominë, por për mbijetesën.

Sovraniteti ushqimor nuk është një slogan. Është një domosdoshmëri që kërkon politika të qarta, mbështetje financiare për fermerët, teknologji moderne dhe planifikim të strukturuar. Përndryshe, shqiptarët do të vazhdojnë të luftojnë për të mbijetuar, por jo për atdheun – për bukën e gojës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit