Policia në Korenë e Jugut ka ndaluar gjashtë shtetas amerikanë të premten, të cilët tentuan të hidhnin në det 1,600 shishe plastike të mbushura me oriz, Bibla të vogla, kartëmonedha 1 dollarëshe dhe USB me përmbajtje të panjohur, me qëllim që ato të përfundonin në brigjet e Koresë së Veriut.
Ngjarja ndodhi në ishullin Gwanghwa, një zonë pranë vijës kufitare me Korenë e Veriut. Sipas policisë lokale, amerikanët u ndaluan para se të hidhnin shishet në det dhe po hetohen për shkelje të ligjit për menaxhimin e sigurisë dhe fatkeqësive.
Zyrtarët nuk dhanë të dhëna personale për të ndaluarit për shkak të rregullave të privatësisë. Po ashtu, ende nuk është bërë publike se çfarë përmbanin USB-të që ndodheshin brenda shisheve.
Prej vitesh, aktivistë të ndryshëm kanë tentuar të dërgojnë materiale propagandistike, Bibla apo USB me seriale koreane dhe këngë K-pop drejt veriut, duke përdorur shishe ose balona ajri. Këto veprime kanë shkaktuar shpesh reagime të ashpra nga Koreja e Veriut, që në disa raste ka lëshuar edhe balona me mbeturina drejt Jugut si kundërpërgjigje.
Sipas autoriteteve, ndalimi i 6 amerikanëve është pjesë e këtij përpjekjeje për të shmangur përplasjet diplomatike me Korenë e Veriut, e cila aktualisht nuk ka shfaqur asnjë shenjë për t'iu rikthyer bisedimeve paqësore me Jugun.
Edhe pse në vitin 2023 Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut rrëzoi një ligj që ndalonte dërgimin e fletushkave drejt Veriut, qeveria e re e presidentit Lee Jae Myung po përpiqet të kufizojë sërish këto veprime, duke përdorur ligje të tjera të lidhura me sigurinë publike, për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e banorëve në zonat kufitare.