Ish-kapiteni i Tiranës, Florjan Përgjoni, largohet nga kryeqyteti dhe nënshkruan me rivalët durrsakë në prag të sezonit të ri futbollistik.
Florjan Përgjoni do të jetë pjesë e Teutës në sezonin e ardhshëm, pasi ka vendosur të mbyllë kapitullin e tij me Tiranën dhe të bashkohet me ekipin nga Durrësi. Lëvizja befasuese u konfirmua pak ditë para nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri, që do të nisin në fillim të korrikut.
Mbrojtësi i majtë, i cili për katër vite ka qenë pjesë e pandashme e bardhebluve, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ka pranuar ofertën e Teutës për të nisur një fazë të re në karrierën e tij. Burime të afërta me klubin konfirmojnë se marrëveshja është mbyllur dhe prezantimi zyrtar pritet së shpejti.
Përgjoni ka qenë një prej figurave më konstante në mbrojtjen e Tiranës, me një bilanc prej 138 ndeshjesh, 6 gola dhe 10 asistime. Edhe pse me oferta të tjera në tryezë, si ajo nga Egnatia dhe Elbasani, ai ka zgjedhur të transferohet te Teuta.
Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm për klubin durrsak, i cili synon të ndërtojë një ekip më konkurrues në kampionatin e ardhshëm. Pas një sezoni që u mbyll në vendin e gjashtë, Teuta ka nevojë për përforcime me përvojë dhe Përgjoni pritet të jetë një nga pikat kyçe të mbrojtjes.
Largimi i Përgjonit lë një boshllëk në radhët e Tiranës, që tani përballet me sfidën për të gjetur një zëvendësues të denjë. Ndërkohë, klubi durrsak duket se ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato, duke siguruar një futbollist me peshë në Superiore.
Tifozët e Teutës e kanë mirëpritur lajmin, duke e konsideruar afrimin e Përgjonit si një shenjë ambicieje për sezonin e ri. Ai pritet të sjellë eksperiencë, qetësi dhe vendosmëri në prapavijë, teksa sfidat e reja janë në horizont.