Propozimi i fundit ligjor i Trumpit synon të ulë taksat, të financojë dëbime masive dhe të shkurtojë ndihmat për Medicaid dhe energjinë e gjelbër
Në një dokument ligjor prej 940 faqesh, administrata Trump ka paraqitur një paketë të re që përfshin ulje masive taksash, shkurtime në programe sociale dhe investime të reja në sigurinë kufitare dhe ushtri. Republikanët në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve janë udhëzuar nga presidenti të anulojnë pushimet për ta miratuar ligjin përpara 4 Korrikut. Demokratët, ndërkohë, e kundërshtojnë me forcë.
Prioriteti kryesor i projektligjit janë uljet e taksave, me një kosto të përgjithshme prej rreth 3.8 trilionë dollarësh në dekadë. Paketa synon të bëjë të përhershme normat ekzistuese të taksave dhe të shtojë lehtësime të reja që Trump premtoi gjatë fushatës: përjashtime nga taksat për bakshishe, orë shtesë dhe kredi për makina. Pensionistët me të ardhura nën 75 mijë dollarë do të përfitojnë gjithashtu nga një zbritje e re prej 6 mijë dollarësh.
Projektligji gjithashtu rrit kredinë për fëmijë nga 2 mijë në 2,200 dollarë, edhe pse familjet me të ardhura më të ulëta nuk do ta përfitojnë të gjithë shumën. Kufiri për zbritjet nga taksat për shtetet me taksa të larta si Nju Jorku do të rritet përkohësisht në 40 mijë dollarë. Në të njëjtën kohë, rreth 350 miliardë dollarë do të shkojnë për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë, për ndalimin e emigrantëve dhe për fondet që mbështesin dëbimet masive.
Në sektorin e sigurisë, projektligji parashikon 45 miliardë dollarë për rreth 100 mijë shtretër në qendrat e ndalimit të emigrantëve dhe fonde për rekrutimin e dhjetëra mijëra agjentëve të rinj të ICE dhe Patrullës Kufitare. Gjithashtu, përmes një fondi të ri prej 10 miliardë dollarësh, do të financohen shtetet që ndihmojnë në dëbimet federale. Fondi tjetër prej 3.5 miliardë dollarësh do të quhet BIDEN, një akronim që lidhet ironikisht me ish-presidentin demokrat Joe Biden.
Për të balancuar kostot, ligji propozon shkurtime të ndjeshme në Medicaid, ndihmat për ushqim dhe incentivat për energjinë e gjelbër, duke e kthyer pas trashëgiminë sociale të administratave Obama dhe Biden. Një nga kushtet më të debatueshme është vendosja e detyrimit për të punuar 80 orë në muaj për përfituesit e ndihmave, përfshirë të moshuarit deri në moshën 65 vjeç dhe prindërit me fëmijë mbi 14 vjeç.
Përfitimet për 80 milionë amerikanë që mbështeten në Medicaid dhe 40 milionë të tjerë që përdorin kuponë ushqimi do të preken ndjeshëm. Sipas analizës së Zyrës së Buxhetit të Kongresit, rreth 10.9 milionë njerëz do të mbeteshin pa mbulim shëndetësor dhe 3 milionë të tjerë pa ndihmë për ushqime. Për të zbutur efektet në zonat rurale, Senati ka përfshirë një program të ri prej 25 miliardë dollarësh për spitalet rurale.
Ligji përfshin edhe dispozita të tjera të diskutueshme si krijimi i një programi të ri kursimi për fëmijët të quajtur Trump Accounts, eliminimi i disa taksave për armët dhe fondet për “Kopshtin Kombëtar të Heronjve Amerikanë”. Gjithashtu, parashikohet një zgjerim i ligjit për kompensimin e viktimave të rrezatimit dhe miliarda dollarë për programet hapësinore si misioni Artemis dhe eksplorimi i Marsit.
Në fund, për të lejuar borxhin publik të vazhdojë të rritet, projektligji parashikon një rritje me 5 trilionë dollarë të kufirit të borxhit kombëtar. Sipas llogaritjeve zyrtare, e gjithë paketa do të kushtojë 3.8 trilionë dollarë, ndërsa do të rrisë deficitin me të paktën 2.4 trilionë gjatë dekadës. Republikanët në Senat kanë sugjeruar një metodë llogaritjeje që përjashton kostot ekzistuese të taksave, por kritikët e cilësojnë këtë si “matematikë magjike”.