Një aksident është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Laprakës, ku një i mitur që po lëvizte me biçikletë është përplasur në rrethana ende të paqarta me një automjet policie.
Ngjarja është raportuar nga një qytetar për redaksinë e JOQ Albania, i cili tregon se pas përplasjes, fëmija ka përfunduar mbi xhamin e makinës së policisë dhe është marrë menjëherë nga ambulanca.
Ende nuk ka informacion zyrtar për gjendjen shëndetësore të të miturit, ndërkohë që pritet një njoftim nga autoritetet për rrethanat e sakta të aksidentit.
“Thjesht dëgjuam një zhurmë dhe pamë djalin që ra mbi xhamin e makinës së policisë. E mori ambulanca, ishte i lënduar, por nuk dimë gjendjen e tij,” – shprehet qytetari.
Ky është aksidenti i dytë brenda pak orëve në të njëjtën zonë, ku është përfshirë një automjet policie. Më herët, në një tjetër incident, një makinë policie u përplas me një taksi, e cila më pas përplasi një autobus të transportit publik, duke shkaktuar vonesa dhe kaos në trafik.
Fatmirësisht, nga aksidenti i mëparshëm nuk pati persona të lënduar rëndë, edhe pse disa qytetarë morën ndihmë mjekësore në vend për shkak të traumave të lehta.