Buxheti i Trumpit nën sulm: Elon Musk paralajmëron dëm strategjik për SHBA-në

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 28.06.2025, 22:55

Elon Musk-u e cilëson buxhetin e Trumpit “të çmendur dhe shkatërrues”, duke paralajmëruar humbjen e miliona vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara

Teksa në Senatin amerikan vijon përplasja politike për miratimin e ligjit të ri të buxhetit të propozuar nga Donald Trumpi, Elon Musk-u ka reaguar me tone të forta, duke e quajtur dokumentin një katastrofë për ekonominë amerikane.

Në një postim të drejtpërdrejtë në platformën X, të cilën e zotëron vetë, Musk-u e përshkroi projektligjin si “tërësisht të çmendur dhe strategjikisht të dëmshëm”. Ai paralajmëroi se miratimi i këtij buxheti do të çonte në zhdukjen e miliona vendeve pune dhe do të godiste thellë aftësitë konkurruese të SHBA-së.

Sipas miliarderit, dokumenti mbështet sektorët industrialë tradicionalë, që sipas tij i përkasin të kaluarës, ndërsa penalizon ashpër industritë e së ardhmes, përfshirë teknologjinë e avancuar dhe energjinë e pastër — dy fusha të cilat ai i konsideron jetike për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në të njëjtën kohë, ndërsa reagimet e Musk-ut bëheshin virale në rrjet, Trumpi ndodhej në një fushë golfi me senatorët republikanë Rand Paul dhe Lindsey Graham. Ky i fundit publikoi një foto me Trumpin në rrjetin X, ku ata duken të buzëqeshur, duke shkruar: “Ditë e bukur për ligjin e madh dhe të bukur!”

Përplasja mes Musk-ut dhe Trumpit ka nisur pas largimit të Elon Musk-ut nga projekti DOGE dhe është thelluar me kritikat ndaj ligjit të ri për taksat dhe shpenzimet. Musk-u e cilësoi këtë ligj si “të neveritshëm” dhe deklaroi se “nuk e duron dot” më këtë qasje politike.

Pasi tensionet u shtuan, nga të dyja kampet nuk munguan reagimet me tone të forta dhe paralajmërime të nxehta. Ndërsa duket se situata ishte shuar për pak kohë, përplasja ka rifilluar me më shumë intensitet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit