Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë gjithnjë e më alarmante që po ndodh çdo ditë në shëtitoren e plazhit në Durrës: fëmijë të mitur, shpesh në grup, hipin nga dy ose tre veta në skuterë elektrikë, duke lëvizur me shpejtësi marramendëse dhe pa asnjë masë sigurie.
Sot ka ndodhur edhe ajo që shumë prindër kanë frikësuar prej kohësh, një prej tyre është përplasur me një fëmijë tjetër. Për fat të mirë, nuk pati pasoja të rënda, por rreziku është i përditshëm.
“Është bërë plazhi i pasigurt për të shëtitur. Kemi frikë t'i nxjerrim fëmijët në shëtitje. Scooter-at arrijnë shpejtësi mbi 20 km/h dhe kur përdoren nga fëmijë 10 vjeç, pa kaskë, pa kontroll, bëhen rrezik për të gjithë. Po presim të ndodhë ndonjë tragjedi si ajo në Tiranë që fëmija përfundoi i intubuar?” – shkruan qytetari i shqetësuar.
Ai apelon që të ndalohet përdorimi i skuterave nga persona nën moshën e lejuar, të kontrollohet zbatimi i ligjit nga kompanitë që i japin ato me qira, si dhe të shtohet patrullimi në zonat më të frekuentuara nga fëmijët. Apeli i tyre është i qartë dhe i drejtë: autoritetet duhet të veprojnë urgjentisht përpara se të jetë vonë.
Nëse institucionet nuk marrin masa, atëherë faji për incidentin e radhës do të jetë i tyre. Durrësi nuk mund të bëhet një qytet ku liria e fëmijëve për të luajtur dhe e qytetarëve për të ecur në shetitore të kthehet në frikë të përditshme.