Një qytetar shqiptar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë të papërgjegjshme që po ndodh në aeroportin e Bergamos, ku pasagjerët e Air Albania janë lënë në mëshirë të fatit pa asnjë informacion për fluturimin e tyre i cili ishte planifikuar në orën 19:40.
Sipas denoncuesit, kompania nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për vonesën e fluturimit drejt Tiranës, as nëpërmjet emailit, as përmes telefonit. Pasagjerët janë detyruar të presin për orë të tëra në aeroport, ndërkohë që asnjë punonjës i Air Albania nuk ndodhet në vend për të dhënë sqarime apo për të bërë boarding.
“Më thanë që fluturimi është shtyrë, por as vetë nuk dinë të thonë kur. Një zonjë nga kujdesi ndaj klientit më tha se mund të niset për 1 orë, por këtu nuk ka asnjë informacion zyrtar, as staf”, – shprehet qytetari i shqetësuar.
Për më tepër, kur është kërkuar një shpjegim për përgjegjësinë e kësaj situate, Air Albania ia ka hedhur fajin aeroportit të Bergamos, duke thënë se sipas tyre, aeroporti duhet të dërgojë njoftimet për pasagjerët.
“Kjo është qesharake. Si mund të jetë përgjegjësi e aeroportit t’u njoftojë pasagjerëve të Air Albania për vonesën? Kjo është detyrë e kompanisë!”, përfundon denoncuesi, i cili ka dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.
Redaksia e JOQ Albania publikon këtë rast me qëllim të paralajmërojë pasagjerët e tjerë që mund të kenë fluturime me këtë kompani në ditët në vijim, por edhe për t’i kujtuar Air Albania se respekti për udhëtarët fillon me transparencën dhe përgjegjësinë.