Një pamje e frikshme vjen nga një kantier ndërtimi në hyrje të Saukut të Vjetër, në Tiranë, në krah të djathtë të rrugës që të çon për në TEG. Sipas një qytetari që ka dërguar denoncimin në redaksinë e JOQ Albania, në kantier është parë një punëtor duke u ulur nga një vinç, pa asnjë masë sigurie, sikur të ishte në një lojë në park argëtimi.
Ngjarja tregon qartë shkeljen flagrante të rregullave të sigurisë në punë, që fatkeqësisht mbeten ende një realitet i përditshëm në shumë kantiere ndërtimi në vend. Me dhjetëra viktima dhe të plagosur çdo vit, duket se as autoritetet dhe as vetë kompanitë nuk marrin seriozisht jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Në një kohë kur ndërtuesit shtohen çdo ditë, e rrokaqiejt dalin nga toka si kërpudhat, kushtet e punës janë kthyer në katastrofë të heshtur, ku punëtorët shpesh rrezikojnë jetën për pak para dhe pa asnjë mbrojtje.
Mesazhi i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ, ja siguria në punë në një kantier ndërtimi – duke u ulur me vinç punëtori. Në hyrje të Saukut të Vjetër, Tiranë, në krah të djathtë të rrugës që shkon për TEG.”