Makina luksoze të sekuestruara nga SPAK-u? Dokumentet zyrtare zbulojnë një realitet ndryshe.

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 28.06.2025, 17:35

Lista e automjeteve të sekuestruara nga SPAK-u i ngjan më shumë një varreze makinash të vjetra dhe pa vlerë të dukshme ekonomike

Në çdo rast që një person i njohur si “i fortë” përballet me policinë apo përfshihet në aksidente të rënda, institucionet reagojnë me bujë. Policia njofton për bllokime automjetesh luksoze, ndërsa SPAK dhe agjencitë e tjera deklarojnë sekuestrime e konfiskime pasurish me vlera të mëdha. Por pas zhurmës mediatike, askush nuk raporton më mbi çfarë ndodh me këto automjete.

Për të kuptuar më mirë se çfarë përfaqësojnë këto pasuri të bllokuara, mjafton një vështrim në katalogun e fundit të publikuar nga Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Shifrat e publikuara nga ky institucion hedhin poshtë perceptimin publik për "luksozitetin" e këtyre automjeteve. Në fakt, depot e sekuestrimeve i ngjajnë më shumë një varreze makinash të amortizuara se sa një koleksioni të pasur.

Në dokumentet zyrtare dalin në pah automjete si një Mercedes Benz 190 D, i sekuestruar me vendim gjyqësor dhe me vlerë të deklaruar vetëm 30.000 lekë. Lista vazhdon me absurditete si një biçikletë Pletscher me vlerë 1.000 lekë, një Mercedes ML për 10.000 lekë, apo edhe një motor Kawasaki për 10.000 lekë.

Agjencia liston gjithashtu një Porsche Panamera me vlerë 50.000 lekë, një shifër që nuk përkon aspak me realitetin e tregut për këtë model. Në të njëjtën mënyrë, automjete të tjerë si Audi A3, A6, apo Volkswagen Golf janë vlerësuar me 50.000 deri në 100.000 lekë, duke shtuar dyshime për qëllimin propagandistik të deklaratave fillestare.

Në mesin e këtyre automjeteve të pavlera, vetëm një makinë luksoze qëndron ndryshe: një Rolls Royce Phantom, dikur në pronësi të biznesmenit Ylli Ndroqi. Vlera e tij zyrtare shënon 51.200.000 lekë, duke u bërë përjashtimi i rrallë në një listë ku dominojnë automjete të amortizuara.

Të gjitha këto raste janë të mbështetura në vendime të ndryshme të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Katalogu përmend vendime nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023, por asnjë prej këtyre pasurive nuk përbën një goditje të ndjeshme për krimin e organizuar, përtej aspektit simbolik.

Ky realitet duhet të merret në konsideratë sa herë që qytetarëve u serviren bujshëm lajme për sekuestrime pasurish “të mëdha”. Katalogu i AAPSK tregon më shumë për një sistem të orientuar drejt imazhit sesa për një luftë reale dhe efektive kundër pasurimit të paligjshëm. Kjo distancë mes retorikës dhe realitetit është një çështje që kërkon transparencë të plotë dhe raportim të saktë publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit