Ligji i ri danez synon të ndalojë përdorimin pa leje të zërit dhe pamjes së qytetarëve përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë deepfake, duke e trajtuar identitetin fizik si të drejtë autori
Danimarka po bëhet pionere në Evropë në përballjen me sfidat e teknologjisë digjitale, duke përgatitur një ligj të veçantë që mbështet të drejtën e autorit për pamjen dhe zërin e individit. Projektligji synon të ndalojë përdorimin e këtyre elementeve pa pëlqimin e drejtpërdrejtë të qytetarit, veçanërisht përmes platformave që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale për krijimin e përmbajtjeve të rreme.
Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, theksoi se ligji ka për qëllim mbrojtjen e demokracisë dhe diskursit publik. Ai solli si shembull një situatë hipotetike ku një video e rreme, e realizuar me deepfake, mund të njoftonte daljen e Danimarkës nga NATO. “Vjedhja e identitetit ka qenë gjithmonë e paligjshme. Ne vetëm po e përmirësojmë mbrojtjen për epokën e re dixhitale”, deklaroi ministri, duke nënvizuar se ligji nuk cenon lirinë e shprehjes.
Deepfake është një teknologji që përdor inteligjencën artificiale për të krijuar imazhe ose video tepër të besueshme të njerëzve realë. Nga imitimi i fytyrës së një personazhi publik, deri te përhapja e dezinformatave dhe videove satirike, kjo teknologji ka njohur një përhapje të shpejtë që nga viti 2017. Rritja e kapaciteteve të IA-së e ka bërë këtë proces më të lehtë dhe më të aksesueshëm.
Shembuj të shumtë globalë kanë treguar ndikimin destabilizues të deepfake-ve. Në SHBA, në vitin 2024, një seri telefonatash që imitonin zërin e Joe Biden udhëzonin qytetarët të mos merrnin pjesë në zgjedhjet paraprake. Në Ukrainë, një video mashtruese me Presidentin Zelensky i kërkonte qytetarëve të dorëzoheshin. Madje edhe figura të padëmshme si Papa Françesku u përfshinë në manipulime vizuale, me një imazh viral ku ai shfaqej me një xhup luksoz.
Ligji i ri në Danimarkë parashikon që platformat të detyrohen të fshijnë përmbajtjet e krijuara përmes deepfake-ve nëse ato përbëjnë shkelje. Do të ndalohet gjithashtu krijimi i përmbajtjeve të stilizuara në emër të artistëve pa miratim, si në rastin e vizatimeve të ngjashme me ato të Studio Ghibli që kanë qarkulluar në rrjete.
Përmbajtjet me qëllim satirik ose parodik do të lejohen vetëm nëse ky qëllim shprehet qartë. Ministri Engel-Schmidt shpreson se ky hap do të shërbejë si model për shtetet e tjera të Bashkimit Evropian për të trajtuar sfidat që sjell inteligjenca artificiale në aspektin etik dhe ligjor.