Open banking në Shqipëri zvarritet nga mungesa e standardeve dhe pengesat burokratike

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 28.06.2025, 10:11

Open banking në Shqipëri po has pengesa serioze për shkak të mungesës së standardeve të përbashkëta dhe burokracive bankare, duke frenuar funksionimin real të këtij shërbimi digjital.

Po çfarë është Open banking? Ky është përkufizimi që japin bankat e nivelit të dytë për Open banking-un:

Open banking (Bankingu i Hapur) është një nismë inovative nga Banka e Shqipërisë e cila mundëson ndarjen e sigurt të të dhënave financiare të klientëve ndërmjet bankave ose institucioneve të tjera financiare dhe Ofruesve të Shërbimit të Pagesave përmes teknologjisë API

Open banking, që në teori duhej të hapte një epokë të re për sistemin financiar shqiptar, po shndërrohet në një proces të gjatë dhe të ndërlikuar. Megjithëse janë dhënë licencat e para për operatorët e parasë elektronike, shtrirja e këtij shërbimi mbetet e kufizuar dhe me ritme të ngadalta përhapjeje në treg.

Përkundër ligjit që u miratua pesë vite më parë për të rregulluar shërbimet e pagesave, shërbimet që bazohen te open banking-ut janë të disponueshme vetëm me një numër të kufizuar bankash. Kjo do të thotë që konsumatorët ende nuk mund të përfitojnë nga ky sistem në mënyrë të plotë.

Një nga pengesat më të mëdha lidhet me mospërgatitjen e brendshme të bankave. Institucionet e parasë elektronike raportojnë se megjithëse kanë mbaruar testimet dhe kanë zhvilluar produkte të reja, shumë banka ende nuk janë të gatshme për të kaluar në përdorim të plotë funksional. Burokracitë dhe moskoordinimi midis departamenteve të brendshme i kanë vonuar integrimet.

Një tjetër çështje serioze është mungesa e standardizimit të API-ve, ndërfaqeve që lejojnë sistemet të komunikojnë mes tyre. Aktualisht, çdo bankë përdor një sistem të ndryshëm, duke i detyruar operatorët fintech të zhvillojnë zgjidhje të ndryshme për secilën bankë. Kjo ndikon negativisht në efikasitetin teknik dhe rrit kostot e operimit për institucionet që ofrojnë open banking.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, mungesa e një API-së të përbashkët pengon edhe aksesin e përdoruesve të bankave më të vogla, pasi operatorët kanë tendencë të përqendrohen tek ato me bazë më të gjerë klientësh. Në këtë mënyrë, krijohet një pabarazi mes klientëve të bankave të ndryshme.

Për më tepër, përvojat e përdoruesve mbeten shumë larg standardeve të vendeve europiane. Ndërsa në BE një pagesë mund të realizohet me 4-5 klikime, në Shqipëri kërkohen deri në 25 hapa për të përfunduar një transaksion online. Kjo situatë bie ndesh me qëllimin fillestar të open banking, që ishte të thjeshtonte dhe modernizonte proceset.

Ndërkohë, mungesa e përfshirjes së bizneseve në këtë sistem është një tjetër problem i madh. Aktualisht, bankat ofrojnë akses për individët, ndërsa kompanitë janë lënë jashtë, edhe pse kjo nuk është e parashikuar nga ligji. Kjo kufizon ndjeshëm përdorimin e open banking për qëllime komerciale.

Banka e Shqipërisë është përpjekur të shmangë përgjegjësinë për këto vonesa, duke deklaruar se ligji është “neutral ndaj teknologjisë” dhe se zgjedhja për të mos pasur një API të përbashkët ishte e bankave. Por kjo qasje ka sjellë më shumë fragmentim sesa efikasitet në zbatimin e teknologjisë së re.

Për më tepër, kalimi nga testimi në përdorim real është penguar edhe nga mungesa e angazhimit institucional brenda bankave. Përfshirja e departamenteve të përputhshmërisë, operacioneve dhe IT-së ka rezultuar e pamjaftueshme për të garantuar daljen “live” të shërbimeve për klientët.

Në mungesë të një presioni të mjaftueshëm nga rregullatori për të detyruar aktorët financiarë të zbatojnë ligjin, zhvillimi i open banking mbetet i fragmentuar dhe jo funksional. Deri tani, nuk ka një strategji të qartë për të shtyrë më tej këtë proces dhe për të eliminuar pengesat burokratike e teknike.

Problemet e paraqitura tregojnë se Shqipëria po vonon ndjeshëm në krahasim me vendet e tjera të rajonit në aplikimin praktik të open banking. Ndërsa institucionet flasin për përgatitje dhe projekte në zhvillim, realiteti për përdoruesit është mungesa e aksesit, vështirësi teknike dhe një sistem i paunifikuar.

Në fund, për të funksionuar vërtet, open banking kërkon jo vetëm vullnet politik dhe teknologji, por edhe një përkushtim të qartë për standarde të përbashkëta, përgjegjësi institucionale dhe ulje të barrës procedurale që rëndon mbi aktorët e rinj të tregut financiar.

Deri atëherë, për përdoruesit dhe bizneset shqiptare, premtimi i open banking-ut mbetet një iluzion teknologjik që nuk është shndërruar ende në realitet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit