Vetëm 1% e më të pasurve kanë fituar aq shumë sa do të mjaftonte për të zhdukur varfërinë globale mbi 20 herë
Një raport i ri i publikuar nga organizata ndërkombëtare Oxfam ka nxjerrë në pah një kontrast tronditës mes pasurisë së akumuluar nga elitat dhe vuajtjeve të pjesës dërrmuese të popullsisë botërore. Sipas të dhënave të raportit, vetëm në vitet e fundit, 3 mijë miliarderët më të mëdhenj në botë kanë fituar 6.5 trilionë dollarë, një shumë që përfaqëson 14.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) global.
Kjo rritje e jashtëzakonshme e pasurisë bie ndesh me realitetin e dhimbshëm të më shumë se 3.7 miliardë njerëzve që vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie. Nga viti 2015 e deri më sot, 1% e më të pasurve kanë shtuar pasurinë me mbi 33.9 trilionë dollarë. Sipas Oxfamit, kjo shumë është e mjaftueshme për t’i dhënë fund varfërisë globale jo vetëm një herë, por plot 22 herë.
Raporti i mbështetur në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2021 llogarit se një person në varfëri ka nevojë për rreth 8.30 dollarë në ditë për të mbuluar nevojat themelore. Nëse do të ndaheshin ndershëm fondet e përfituara, ato jo vetëm do të mund të zhduknin varfërinë, por do të përmbushnin edhe të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, që përfshijnë mbrojtjen e planetit dhe garantimin e mirëqenies për të gjithë.
“Triliona dollarë janë të disponueshëm për të përmbushur këto objektiva, por ato qëndrojnë të bllokuara në llogaritë e një pakice ultra të pasur,” deklaroi drejtori ekzekutiv i Oxfam International, Amitabh Behar.
Përkundër rritjes së pasurisë private, qeveritë e vendeve të pasura po shkurtojnë ndjeshëm ndihmën e jashtme. Vetëm vendet e G7 kanë planifikuar një ulje prej 28% të ndihmës për vitin 2026 krahasuar me vitin 2024, një nivel i paprecedentë që prej vitit 1960.
Ndërkohë, 60% e vendeve me të ardhura të ulëta janë në prag të një krize borxhi. Për shkak të perceptimit si “të rrezikshme”, ato paguajnë norma shumë të larta interesi për të marrë hua në tregjet ndërkombëtare, çka i detyron të shkurtojnë fondet për arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin.
Oxfami thekson se mbështetja në investime private për zhvillimin nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Organizata bën thirrje për një qasje të bazuar në financim publik, duke investuar në shërbime thelbësore si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe energjia, për të garantuar akses universal dhe cilësi për të gjithë.
Për më tepër, raporti nënvizon një realitet shqetësues: pasuria publike po rritet me ritme shumë më të ngadalta krahasuar me pasurinë private. Nga viti 1995 deri në 2023, pasuria private u rrit me 342 trilionë dollarë, ndërsa ajo publike vetëm me 44 trilionë.
Me PBB-në globale vjetore që qëndron afërsisht në 100 trilionë dollarë, është e qartë se pabarazia po rritet në mënyrë dramatike. Oxfami propozon që qeveritë të rishikojnë sistemet tatimore dhe të aplikojnë taksa më të drejta ndaj miliarderëve, të cilët aktualisht paguajnë vetëm rreth 0.3% të pasurisë së tyre.
Një anketë e porositur nga Oxfam-i dhe Greenpeace-i në 13 vende të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë, tregoi se 9 nga 10 qytetarë mbështesin rritjen e taksave për super të pasurit për të financuar shërbimet publike dhe politikat për klimën.
Raporti paralajmëron se vetëm 16% e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur deri në vitin 2030. Nëse trendi aktual vazhdon, pabarazitë do të thellohen edhe më shumë dhe mund të minojnë stabilitetin global.