Prej disa ditësh, zona e Fushë-Krujës po përjeton lëkundje të njëpasnjëshme tërmeti që kanë shqetësuar shumë qytetarë dhe kanë sjellë diskutime në rrjete sociale për situatën sizmike në këtë zonë.
Vetëm pak minuta më parë u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 2.9 sipas shkallës Rihter, me epiqendër pranë fshatit Nikël të Fushë-Krujës dhe një thellësi fokale prej 5 km.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, më 27 qershor, u ndjenë dy lëkundje radhazi. E para rreth orës 08:59 me magnitudë 3.9, e ndjekur vetëm pak minuta më vonë nga një tjetër goditje me magnitudë 4.1, e cila shkaktoi panik te banorët e zonës. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar.
Kujtojmë se vetëm tre ditë më parë, më 24 qershor, një tjetër tërmet me magnitudë 4.4 u regjistrua rreth orës 05:05 të mëngjesit, me epiqendër 16 km në veriperëndim të Tiranës dhe 12 km në jug-jugperëndim të Krujës.
Kjo seri lëkundjesh ka shtuar ndjeshëm shqetësimin mes qytetarëve të zonës dhe më gjerë.
Epiqendra e disa prej këtyre lëkundjeve ndodhet shumë pranë aeroportit të Rinasit, duke shtuar edhe më tej shqetësimin tek qytetarët.
A është kjo një situatë normale për aktivitetin sizmik në Shqipëri? Apo duhet të jemi më të vëmendshëm?
Po ju, si mendoni? A po ndodh diçka e pazakontë në Fushë-Krujë apo janë lëkundje normale për vendin tonë?