Pamjet dramatike nga Franca tregojnë të armatosur me kapuç gjatë një shkëmbimi zjarri

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 27.06.2025, 23:04

Një person me armë automatike shihet në kamera teksa lëviz në vendin e ngjarjes ku ndodhën të shtënat në lagjen e njohur Valdegour të qytetit Nimes në Francë

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një person të veshur me kapuç dhe maskë që mban një armë automatike në dorë, teksa zbret shkallët nga një rrugë kryesore dhe duket se kontrollon zonën përreth. Pamjet janë filmuar menjëherë pas një shkëmbimi zjarri.

Sipas dëshmitarëve, të shtënat ndodhën rreth orës 19:00 në sheshin Avogadro, brenda lagjes Valdegour, një zonë famëkeqe e qytetit Nimes për aktivitetin kriminal të lidhur me drogën. Të pranishmit raportuan se personat e përfshirë në ngjarje ishin të rinj dhe se armët e përdorura dukeshin automatike.

Shërbimet emergjente kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe konfirmojnë se gjashtë persona janë qëlluar me armë zjarri. Një prej tyre është në gjendje kritike dhe po lufton për jetën në spital. Policia franceze ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorëve, të cilët ndodhen ende në arrati.

Një hetim për “vrasje të mbetur në tentativë” është hapur nga autoritetet. Në vendin e ngjarjes ndodhej edhe zëvendësshefi i policisë, i cili po mbikëqyr nga afër hetimet për këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur qytetin jugor francez.

Burime nga terreni sugjerojnë se motivi i ngjarjes mund të jetë një përplasje mes grupeve kriminale për territor droge, por deri më tani nuk përjashtohet asnjë pistë. Rajoni ku ndodhi incidenti ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për konflikte të dhunshme të lidhura me trafikun e drogës.

Kujtojmë se në vitin 2023, në të njëjtën zonë të Pissevin-it, u vranë dy të rinj në dy ngjarje të ndara por të lidhura me krimin e organizuar. Fillimisht, një 10-vjeçar humbi jetën nga një plumb qorr, ndërsa disa ditë më pas një 18-vjeçar u qëllua për vdekje vetëm pak rrugë më tej. Prokurorja lokale, Cecile Gensac, tha atëherë se viktima e mitur ishte thjesht "në vendin e gabuar, në kohën e gabuar".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit