Ushtria jonë është më e fortë dhe më e pajisur se kurrë, Kosova nuk është e vetme dhe ka partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë përkrah saj
Në një ceremoni të zhvilluar me solemnitet të plotë, 350 rekrutë të rinj i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke u bërë pjesë e gjeneratës së dytë për vitin 2025. Ngjarja u mbajt në praninë e përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe përfaqësoi një moment të rëndësishëm për ushtrinë dhe institucionet e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij, nënvizoi se FSK-ja po përparon drejt një ushtrie moderne dhe shumëetnike. Ai theksoi se kapacitetet profesionale dhe logjistike të saj e bëjnë një forcë të përgatitur për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Jetojmë në një botë me sfida të shumta të sigurisë, por Kosova nuk është më e vetmuar. Krah nesh qëndrojnë aleatë strategjikë, dhe ushtria jonë është e pathyeshme,” deklaroi Kurti, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Kreu i qeverisë shtoi se FSK-ja është pajisur më shumë se kurrë me armatim bashkëkohor dhe se për dy vitet e ardhshme pritet të ndërtohet fabrika e parë shtetërore për prodhimin e municioneve. Ai e përshkroi këtë zhvillim si një hap të madh drejt pavarësisë ushtarake dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të vendit.
“FSK-ja sot përfaqëson një ushtri që trajnohet sipas standardeve të NATO-s, me një arsenal të avancuar dhe të gatshme të përballojë çdo sfidë,” tha Kurti. Ai përmendi edhe angazhimin për të forcuar më tej bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
Gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për rekrutët dhe instruktorët më të dalluar, duke përmbyllur një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është gjenerata e dytë e rekrutëve për vitin 2025, pas betimit të 344 të rinjve në muajin mars.
Ndërkohë, disa ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se ushtria e Serbisë është më e fuqishme se kurrë dhe se pajisjet ushtarake janë blerë në fshehtësi. Ai akuzoi Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin për krijimin e një boshti ushtarak, duke shtuar se po ftojnë edhe Sofjen që t’u bashkohet. Kjo, sipas tij, ka nxitur Serbinë të intensifikojë përgatitjet e saj ushtarake.