Trumpi nxit zemërim në Japoni pas krahasimit të Iranit me bombardimet bërthamore

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 27.06.2025, 22:28

Deklarata e Trumpit për sulmet ndaj Iranit që i krahasoi me Hiroshiman dhe Nagasakin, ka shkaktuar reagime të forta në Japoni

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar zemërim të gjerë në Japoni pasi krahasoi sulmet ajrore të fundit të SHBA-së ndaj Iranit me bombardimet bërthamore që shkatërruan qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. “Ajo goditje e mbylli luftën,” tha Trumpi për gazetarët të mërkurën. “Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës, por në thelb ishte e njëjta gjë.”

Këto deklarata janë dënuar ashpër nga autoritetet dhe të mbijetuarit japonezë, duke i cilësuar si fyese dhe të papranueshme. Kryetari i Bashkisë së Nagasakit, Shiro Suzuki, u shpreh se nëse komenti i Trumpit përpiqet të justifikojë përdorimin e bombës atomike, atëherë kjo është “thellësisht e keqardhshme për ne si qytet i bombarduar.”

Një reagim i ashpër erdhi edhe nga grupi Nihon Hidankyo, i përbërë nga të mbijetuar të bombave bërthamore dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe. Një prej bashkëkryetarëve, Mimaki Toshiyuki, e cilësoi deklaratën “të papranueshme”, ndërsa një tjetër anëtare, Teruko Yokoyama, tha: “Jam e zhgënjyer thellë, ndjej vetëm zemërim.”

Në Hiroshima, të mbijetuarit organizuan një protestë ditën e enjte, duke kërkuar që Trumpi të tërhiqte deklaratat e tij. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Asamblesë Lokale në Hiroshima miratuan një rezolutë që dënon çdo qëndrim që përpiqet të justifikojë përdorimin e armëve bërthamore dhe bënë thirrje për zgjidhje paqësore të konflikteve.

Pyetur nëse Japonia do të paraqesë një ankesë zyrtare ndaj Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Kabinetit, Hayashi Yoshimasa, theksoi se Tokio ka sqaruar në mënyrë të përsëritur qëndrimin e vet për armët bërthamore para autoriteteve amerikane.

Deklaratat e Trumpit u bënë pas raportimeve se sulmet amerikane ndaj Iranit kanë vonuar programin bërthamor iranian për disa muaj. Por ai këmbënguli se ato “e kanë shkatërruar” programin dhe se e kanë kthyer mbrapa për “dekada”, një pohim i mbështetur nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.

Hiroshima dhe Nagasaki, të vetmet qytete të goditura ndonjëherë nga një sulm bërthamor, mbeten ende simbol i plagëve të pambyllura. Në Hiroshima, flaka e paqes digjet pa u fikur që nga vitet ’60 dhe një orë që numëron ditët që nga sulmi i fundit bërthamor në botë qëndron në hyrje të muzeut të luftës. Vizitorët e rëndësishëm që shkojnë atje inkurajohen të bëjnë një trëndafil prej letre në shenjë angazhimi për paqe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit