Policia e Kosovës merr masa parandaluese për mbarëvajtjen e festës “Vidovdan”, duke synuar shmangien e çdo tensioni apo provokimi gjatë aktiviteteve të së shtunës më 28 qershor
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se ka përgatitur një plan të detajuar operativ për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve të “Vidovdanit”, të cilat do të zhvillohen këtë të shtunë në disa lokalitete të vendit.
Ky plan përfshin masa të koordinuara në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, me qëllim menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të mundshme. Të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë informuar në kohë për këto masa.
Në njoftim, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete që të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo provokim dhe të respektojnë ligjet në fuqi. Ajo thekson se forcat policore do të jenë të pranishme në terren për të siguruar rendin dhe për të ndaluar çdo veprim të jashtëligjshëm.
Njëkohësisht, qytetarët janë paralajmëruar për ndryshime të përkohshme në qarkullimin rrugor, për shkak të mundësisë së bllokimeve apo riorientimeve të trafikut gjatë zhvillimit të aktiviteteve publike.
Policia thekson përkushtimin e saj për të zbatuar mandatin kushtetues dhe ligjor, duke synuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim etnie apo përkatësie.
Ndërkohë, kujtojmë se në vitin 2023, Komuna e Graçanicës kishte vendosur që festa të shënohej me flamuj dhe simbole të shtetit serb. Por ky vendim u anulua nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 qershor të po atij viti.
Në arsyetimin e saj, gjykata deklaroi se përdorimi i simboleve të huaja në një ngjarje të tillë, pa pëlqimin e institucioneve qendrore, përbënte rrezik për rendin publik dhe mund të nxiste tensione ndëretnike.
Autoritetet kosovare mbeten të vendosura që festimet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe ligjore, pa u përdorur për qëllime politike apo ndasi komunitare.