Vetëm 8.8% e fondit për bonusin e bebeve u shpërnda për lindjet në muajt e parë të vitit 2025, mes rënies së lindjeve dhe ndryshimeve ligjore
Vetëm një përqindje e vogël e bonusit të parashikuar për foshnjat është përdorur në katërmujorin e parë të vitit 2025. Nga 2.25 miliardë lekë të alokuara për këtë qëllim, janë shpërndarë vetëm 8.8% e fondit, duke mbuluar 6,940 lindje në total.
Në krahasim, gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2024 u përdorën 27% e një fondi të ngjashëm, që mbuloi 8,672 lindje. Nga këto, 6,985 ishin lindje brenda vendit dhe 1,687 ishin lindje jashtë, përbërës i 20% të totalit.
Rënia e numrit të bebeve përfituese në territorin shqiptar në janar-prill 2025 është rreth 1% më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo përforcon një tendencë në zbritje të përfituesve vendas.
Të dhënat historike tregojnë se në janar-prill 2023, fondi i bonusit ka mbuluar 11,707 lindje brenda vendit dhe 5,107 jashtë. Kjo shënonte një rënie prej 4% të përfituesve krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Interesant është fakti se 43% e përfituesve kishin lindur jashtë Shqipërisë.
Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të vitit 2025 numri i lindjeve në shkallë vendi ishte vetëm 4,662 – një ulje rreth 23% krahasuar me vitin 2024. Kjo rënie e madhe është reflektuar edhe në numrin e bonusit të shpërndarë.
Përfitimi i bonusit për bebet që lindin jashtë vendit, me masa që varionin nga 20% deri në 50% të fondit, ka qenë praktikë që prej vitit 2019. Në katër vitet e para, Ministria e Shëndetësisë shpërndau 11.5 miliardë lekë për 161,943 bebe, nga të cilat rreth 33% kishin lindur jashtë.
Bonusi i bebes, që ofron deri në 120,000 lekë për çdo lindje, mund të përfitohej nga familjet shqiptare jashtë vendit për sa kohë që fëmija regjistrohej në Shqipëri. Kjo praktikë ndryshoi në maj 2023, për shkak të ngarkesës buxhetore dhe përqindjes së lartë të aplikimeve nga diaspora.
Në nëntor 2023 hynë në fuqi ndryshimet në ligjin nr. 57/2019 “Për asistencën sociale”, duke përjashtuar nga skema përfituesit që nuk kanë rezidencë në Shqipëri. Ndërkohë, në dhjetor të po atij viti, një vendim i Këshillit të Ministrave vendosi që për të përfituar bonusin, të paktën një nga prindërit duhet të ketë jetuar për 180 ditë në Shqipëri gjatë vitit pararendës.
Kjo kriter i ri ka për qëllim që fondi i bonusit të fokusohet tek familjet që jetojnë në vend. Zbatimi i kësaj mase mbështetet në sistemin TIMS, që gjurmon hyrjet dhe daljet nga kufijtë shqiptarë.
Përveç të dhënave zyrtare, kërkohet që prindi të plotësojë edhe një formular vetëdeklarimi ku shprehet se është banues në Shqipëri. Kjo është pjesë e përpjekjeve për të kufizuar abuzimet me skemën.
Por është fakt që ikjet kanë qenë masive dhe shqiptarët besojnë më pak tek ekonomia vendase. Rrogat e ulëta, por mbi të gjitha presioni i tregjeve të mëdha siç është ai i BE-së, ku premtohen rroga më të larta, motivon forcën tonë punëtore që të largohet.
Përtej premtimeve për rritje bonusi, duhet që së pari shteti të mbështesë karrierën profesionale të forcës punëtore, për të mbajtur një masë të shëndetshme të punës në Shqipëri. Sepse presioni rritet dhe largime të tjera masive do të ulnin edhe më tej lindjet në Shqipëri.