Banorët e Bërnicës së Epërme po përballen prej një jave me mungesë të ujit të pijshëm, në një periudhë kur temperaturat janë mbi 30 gradë Celsius. Ata shprehin shqetësimin e tyre për situatën, duke thënë se mungesa e ujit po e bën jetesën të vështirë dhe nuk kanë mundësi të lahen apo të gatuajnë.
“Jemi në mes të verës, temperaturat janë mbi 30 gradë dhe ne s’kemi ujë as për t’u larë, as për të gatuar. Kjo është e papranueshme!” – tha një banore e lagjes.
“Prej një jave jemi pa ujë të pijshëm. Çdo ditë na thonë se do të rregullohet, por s’ka asgjë konkrete. Po detyrohemi të blejmë ujë me bidonë.” – ankohet një banor tjetër.
“Nuk është normale që në vitin 2025 ende të përballemi me mungesë uji për ditë të tëra.” – shtoi ai.
Nga Ujësjellësi i Prishtinës kanë dhënë arsyetimin për këtë situatë.
Sipas tyre, si shkak i mosfurnizimit të lagjes ka qenë ndërhyrja e personave të pa njohur që kanë ndaluar valvolat në rrjetin e ujit në Bërnicë të Poshtme. Gjithashtu, pjesa e Bërnicës së Epërme ka rrjet të dobët për furnizim.
“Kemi pas ankesa te banorëve, jemi marrë me zgjidhjen e këtij problemi. Ekipet tona janë të angazhuar sinqerisht për furnizim sa më të shpejtë të kësaj zone. Aktualisht jemi duke hartuar projektin për ndërtimin e rezervuarit për zgjidhje afatgjate, por kjo merr kohë dhe ka kosto”, thuhet në përgjigjen e Ujësjellësit të Prishtinës.
Banorët vazhdojnë të presin zgjidhje konkrete për një problem që po i rëndon në kulmin e verës.