Ministri grek Makis Voridis dhe tre zëvendës të tij dorëhiqen mes zbulimeve për abuzime me subvencionet e BE-së në sektorin e bujqësisë
Ministri grek i Emigracionit, Makis Voridis, ka paraqitur dorëheqjen pas një serie zbulimesh alarmante për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian në sektorin bujqësor. Ai është shoqëruar në largim edhe nga tre zëvendësministra, në një skandal që ka tronditur politikën greke dhe ka vënë në lëvizje hetimet e institucioneve ndërkombëtare.
Në qendër të hetimeve ndodhet shpërndarja e paligjshme e subvencioneve për fermerët, ku për më shumë se gjashtë vite janë zbuluar praktika të përhapura të manipulimit dhe favorizimeve politike. Komisioni Europian e ka dënuar Greqinë me një gjobë fillestare prej 415 milionë eurosh, ndërsa shifra përfundimtare mund të arrijë deri në 600 milionë euro, për shkak të dështimeve të përsëritura në kontrollet financiare.
Dosja voluminoze e përgatitur nga Prokuroria Europiane, me mbi 3 mijë faqe, përfshin edhe përgjime telefonike të siguruara nga shërbimi sekret grek. Këto dëshmi hedhin dritë mbi ndërhyrjet politike, manipulimin e aplikimeve për subvencione dhe ndarjen selektive të fondeve në favor të personave të lidhur me pushtetin.
Sipas përgjimeve të publikuara, fondet janë përdorur si mjet për përfitime elektorale dhe personale nga politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë. Fermerët e ndershëm, që kishin realisht nevojë për ndihmë, janë lënë në harresë, ndërkohë që pagesat janë bërë për ferma fiktive dhe projekte që nuk kanë ekzistuar kurrë.
Në dritën e këtyre fakteve, kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar dorëheqjen e Voridisit, i cili më parë ka qenë edhe ministër i Bujqësisë dhe kishte në mbikëqyrje agjencinë OPEKEPE – struktura përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve.
Përveç tij, kanë dhënë dorëheqjen edhe tre zëvendësministra: Tasos Haxhivassiliou në Ministrinë e Jashtme, Dionysis Stamenitis për Zhvillimin Rural dhe Christos Boukoros për Qeverisjen Dixhitale. Po ashtu, është larguar nga detyra edhe Sekretari i Përgjithshëm për Zhvillimin Rural, Giorgos Stratakos.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet të zgjerojnë më tej listën e të përfshirëve, ndërsa shqetësimi për fondet e humbura dhe përfshirjen politike mbetet i lartë në opinionin publik grek dhe në institucionet europiane.