Flamur Noka del nga Prokuroria e Posaçme, akuzon SPAK-un për neglizhencë ndaj krimit elektoral

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 27.06.2025, 11:26

Deputeti i Partisë Demokratike deklaron se hetimet për manipulimet zgjedhore po injorohen dhe krimi elektoral po sfidon hapur drejtësinë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u paraqit paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku qëndroi për rreth një orë. Ai u thirr nga Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me disa denoncime të bëra gjatë fushatës zgjedhore.

Pas daljes nga prokuroria, Noka iu drejtua gazetarëve me tone kritike, duke akuzuar SPAK-un për neglizhencë në ndjekjen e krimeve zgjedhore. “U thirra për denoncimet që kam bërë gjatë fushatës. Task-forca për hetimin e krimit elektoral nuk është vënë ende në lëvizje,” deklaroi ai.

Ai theksoi se krimi elektoral në vend është bërë më i fuqishëm dhe më i institucionalizuar se kurrë më parë, duke ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Sipas Nokës, kjo situatë e ka kthyer fenomenin e manipulimit të votës në një sfidë të hapur ndaj drejtësisë.

“Kemi një krim elektoral që tallet me SPAK-un dhe me qytetarët. Na u premtua ndëshkim, por në realitet nuk ka asnjë veprim konkret. Vota e shqiptarëve po vidhet në mënyrë të organizuar,” u shpreh ai.

Deklaratat e Nokës vijnë në një kohë kur debati për integritetin e zgjedhjeve dhe pastrimin e procesit elektoral është rikthyer fuqishëm në skenën politike dhe publike.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende asnjë reagim zyrtar për thirrjen apo për hetimet e mundshme që lidhen me denoncimet e deputetit demokrat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit