Kryeministri i Kosovës në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti iu është drejtuar krerëve të subjekteve politike për një takim të përbashkët të shtunën (28.06.2025) në orën 16:00.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se ky është takim në përpjekje të konsensusit për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Kurtit, aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”- ka shkruar Kurti.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në lidhje me seancën konsituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Gjykata ka marrë vendim më 26.06.2025, se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Kushtetuesja e ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme në lidhje me kërkesën për votim të fshehtë.Më 25.06.2025, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për të 37-tën herë me radhë. Seanca maratonike ka nisur që nga 15.04.2025, dhe assesi që legjislatura e re të konstituohet.