Tragjedia e fëmijëve ukrainas dhe fati i errët në duart e shtetit rus

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 27.06.2025, 09:58

Mbi 35 mijë fëmijë ukrainas ende të zhdukur, familjet përballen me pamundësinë e kthimit nga Rusia

Rreth 35 mijë fëmijë ukrainas rezultojnë ende të zhdukur, sipas të dhënave të reja nga Universiteti Yale, dhe besohet se ata ndodhen në territore të pushtuara ose brenda kufijve të Rusisë. Familjet e tyre po përpiqen me çdo mjet të mundshëm që t’i rikthejnë, shpesh duke rrezikuar edhe jetën.

Që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022, fëmijët janë larguar nga shtëpitë kujdestare, zonat e luftës apo janë marrë dhunshëm nga familjet e tyre. Moska ka refuzuar çdo përpjekje për kthimin e tyre, duke e cilësuar këtë temë si “manipulim” nga Kievi gjatë bisedimeve për armëpushim.

Një histori e dhimbshme vjen nga Natalia, një nënë nga Khersoni, e cila arriti të shpëtonte dy djemtë e saj pas një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm nëpër zonat e kontrolluara nga Rusia. Ajo kishte dërguar fëmijët në një kamp veror që duhej të zgjaste 21 ditë. Por ata nuk u kthyen më.

Pas çlirimit të Khersonit, Natalia nuk mund t’i merrte fëmijët pa qenë e pranishme fizikisht në kamp. Me ndihmën e një organizate ukrainase, ajo udhëtoi vetë drejt qytetit rus Anapa, duke kaluar dhjetëra kontrolle dhe rreziqe lufte, derisa në shkurt 2023 më në fund u bashkua me fëmijët e saj.

Organizata ukrainase “Bring Kids Back” raporton se vetëm 1,366 fëmijë janë kthyer deri tani. Ekspertët e Yale thonë se mijëra të tjerë janë transferuar në jetimore, kampe ushtarake ose janë birësuar nga familje ruse, në një proces që ata e krahasojnë me praktikat naziste ndaj fëmijëve polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dëshmitë e mbledhura nga fëmijët e kthyer tregojnë se ata janë detyruar të këndojnë himne ruse, të mësojnë rusisht dhe të ndëshkohen për përdorimin e gjuhës ukrainase. “Na bënin të vizatonim flamurin rus,” tregoi një 9-vjeçar.

Drejtuesja e Rrjetit për të Drejtat e Fëmijëve në Ukrainë, Daria Kasyanova, paralajmëron se shumë fëmijë janë mashtruar për të pranuar kujdesin në Rusi. Ajo shpjegon se nëse njëri prind ndodhet në Ukrainë dhe tjetri kapet ose vritet në territore të pushtuara, fëmijët dërgohen në jetimore. Në atë pikë, kthimi i tyre bëhet pothuajse i pamundur.

Ndryshimet e fundit në ligjin rus e bëjnë situatën edhe më të ndërlikuar, pasi tashmë qytetarët rusë mund të birësojnë ligjërisht fëmijë ukrainas. Një veprim që analistët e quajnë pjesë e një strategjie për asimilimin e tyre.

Në mars 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportim të paligjshëm të fëmijëve – një akt që konsiderohet krim lufte.

Kthimi i fëmijëve është kthyer në një prej kushteve themelore të Ukrainës në çdo negociatë për paqe. Aktivistja Ksenia nga organizata “Helping to Leave” e përshkruan këtë situatë me fjalët: “Fëmijët tanë janë territoret tona. Ata janë ukrainas dhe Rusia nuk ka të drejtë mbi ta.”

Ekspertët paralajmërojnë se Rusia po i përdor fëmijët si mjet për të ushtruar presion dhe për të ndërtuar fitore simbolike. Nathaniel Raymond nga Universiteti Yale thotë se transformimi i një fëmije nga një grup etnik në një tjetër, përbën krim lufte dhe duhet trajtuar si i tillë nga komuniteti ndërkombëtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit