BE nuk i vendos sanksione të reja Rusisë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 27.06.2025, 09:52

Liderët e Bashkimit Evropian nuk arritën konsensus për sanksione të reja ndaj Rusisë, por vendosën zgjatjen e masave ekzistuese për gjashtë muaj të tjerë

Në përfundim të samitit të Bashkimit Evropian të mbajtur në Bruksel, vendet anëtare vendosën të zgjasin për gjashtë muaj të tjerë sanksionet ekzistuese kundër Rusisë, pa miratuar masa të reja ndëshkuese. Kjo vendimmarrje erdhi pas debateve të gjata mes liderëve të BE-së, të cilët nuk arritën të unifikojnë qëndrimin për një përshkallëzim të sanksioneve.

Burime nga samiti konfirmuan se gjatë mbrëmjes së 26 qershorit, kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së u pajtuan për shtyrjen e paketës aktuale të sanksioneve, të vendosura për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo do të jetë hera e 18-të që BE miraton një paketë të tillë ndëshkimore.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një deklaratë pas samitit dhe takimit paraprak të NATO-s, theksoi se kishte pritur më pak tensione: “Nuk prisja më shumë, por kisha frikë më pak,” tha ai, duke përmendur se mund të kishte pasur përplasje të forta, përfshirë mes Trumpit dhe Zelenskyt – gjë që nuk ndodhi.

Rezistenca ndaj sanksioneve të reja ishte e dukshme, sidomos nga ana e Hungarisë dhe Sllovakisë. Kryeministri hungarez Viktor Orban, ashtu si në të kaluarën, shprehu rezerva të forta dhe paralajmëroi për bojkot. Po ashtu, kryeministri sllovak Robert Fico e kundërshtoi paketën, duke u shprehur se Sllovakia nuk mund të vazhdojë të mbështesë sanksione të reja nëse nuk garantohet furnizimi me gaz pas vitit 2027.

Edhe këtë herë, mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare dolën në pah, veçanërisht për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Viktor Orban mbeti i palëkundur kundër zgjerimit të unionit drejt Lindjes, duke u shprehur qartazi kundër pranimit të Ukrainës.

Një tjetër temë që u trajtua në samit ishte gjendja e tregtisë ndërkombëtare, përballë kërcënimeve për tarifa të reja nga SHBA-ja. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se është marrë një propozim i ri nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje tregtare. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, pasi sipas saj, “të gjitha opsionet janë ende në tryezë”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit