Autoerotizmi ekstrem mund të jetë fatal: rreth 1000 njerëz në botë humbin jetën çdo vit për shkak të praktikave të rrezikshme seksuale
Rastet e vdekjeve që lidhen me lojërat seksuale të rrezikshme shfaqen rregullisht në faqet e kronikave. Nga të rinjtë deri tek të moshuarit, këto ngjarje shpesh përfundojnë tragjikisht. Për të kuptuar më mirë rreziqet dhe shkaqet, Fanpage.it intervistoi andrologun Nicola Macchione, mjek pranë Spitaleve Santi Paolo e Carlo në Milano.
Sipas doktor Macchiones, numri i vdekjeve nga autoerotizmi në mbarë botën llogaritet të jetë mes 500 dhe 1000 në vit. Edhe pse shifra mund të duket e ulët, ajo përfaqëson një nivel të lartë rreziku, për shkak të natyrës së vdekjes.
Statistikat tregojnë se shumica e viktimave janë meshkuj të bardhë dhe moshat variojnë nga 11 deri në 77 vjeç. Vdekjet ndodhin kryesisht në ambiente të mbyllura. Një studim evidenton se mes viteve 1954 dhe 2004 janë regjistruar mbi 400 raste të tilla, por ekspertët besojnë se ky numër është vetëm një pjesë e vogël e rasteve reale.
Shkaku kryesor i vdekjes është asfiksia ose varja. Disa raste lidhen me praktikimin e formave ekstreme të lidhjes, që kryhen pa njohuri të mjaftueshme mbi pasojat. Kur praktikat nuk shoqërohen me informim dhe kujdes, mund të rezultojnë fatale.
Në shumë raste, viktimat përdorin substanca kimike ilegale që, ndryshe nga sa besohet, mund të përkeqësojnë ndjeshëm efektet e autoerotizmit. Këto lëndë, shpesh të panjohura në përbërje, ndikojnë negativisht në shëndetin gjatë aktit seksual.
Nëse pyetemi nëse vdekjet ndodhin më shumë nga ndonjë gjendje shëndetësore apo nga praktikat ekstreme, përgjigjja është e qartë: lojërat ekstreme janë më të rrezikshme. Literatura mjekësore përmend raste të shumta me përdorim të objekteve të rrezikshme, energji elektrike, apo futje të trupave të huaj në trup.
Një formë vdekjeje e veçantë është ajo nga embolia gazore, ku sasi të mëdha ajri hyjnë në qarkullimin e gjakut përmes vaginës, duke shkaktuar komplikime të menjëhershme dhe fatale.
Një tjetër burim rreziku janë lodrat seksuale të improvizuara në shtëpi. Mungesa e edukatës seksuale dhe ndjenja e turpit çojnë shumë persona drejt përdorimit të objekteve të rrezikshme, që në raste ekstreme kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për të shpëtuar jetën.
Autoerotizmi, kur praktikohet me vetëdije, informim dhe respekt ndaj trupit, mund të jetë i sigurt dhe i kënaqshëm. Por kur praktikohet me improvizim, mund të kthehet në një kërcënim serioz për jetën. Edukimi seksual dhe njohja e trupit janë thelbësore për të shmangur fatkeqësitë.
Sa për problemet shëndetësore që mund të ndikojnë në autoerotizëm, mjeku pohon se në përgjithësi nuk ka kundërindikacione specifike. Vetëm në raste të përdorimit të drogës dhe pranisë së sëmundjeve kardiake, rreziku mund të rritet.
Në fund, doktor Macchione thekson se nuk ekziston ndonjë gjendje fizike që e ndalon plotësisht këtë praktikë. Nëse një person është i shëndetshëm dhe i ndërgjegjshëm për veprimet e tij, autoerotizmi nuk përbën rrezik.