Një qytetar ka denoncuar përmes një mesazhi drejtuar redaksisë së JOQ Albania gjendjen e rëndë të ambienteve pranë Pediatrisë Kirurgjike në QSUT, Tiranë. Ai shprehet se para dy ditësh ka qëndruar aty, ndërsa të afërmit e tij ndodheshin në sallën e operacionit, dhe ajo që ka parë i ka lënë një shije të hidhur.
Në një nga sallat e pritjes, ku prindërit dhe familjarët e fëmijëve presin me orë të tëra lajme nga mjekët, disa nga stolat ishin të dëmtuar dhe e pamundur për t’u përdorur. Në videon e siguruar nga qytetari, duket qartë se një pjesë e ndenjëseve metalike janë përkulur dhe jashtë funksionit, duke i detyruar njerëzit të qëndrojnë në këmbë.
“Isha para 2 ditësh te spitali QSUT, te Pediatria – Kirurgjia. Pashë diçka që më erdhi keq për ata prindër që prisnin në këmbë fëmijët e tyre që ishin në sallën e operimit dhe filmova këtë video”, shkruan qytetari.
QSUT është institucioni më i madh shëndetësor në Shqipëri, ku çdo ditë vijnë me mijëra qytetarë nga i gjithë vendi. Por edhe pse përballet me një fluks të përhershëm, kushtet për pritjen e familjarëve mbeten të mjerueshme. Në vend që të ofrohen ambiente dinjitoze për njerëzit që përballen me ankth, dhimbje dhe pasiguri, shfaqen pamje që s’kanë vend as në qendra lagjesh.
Ky nuk është një problem që kërkon miliona euro apo projekte madhore. Bëhet fjalë për disa stola metalikë që mund të riparohen ose zëvendësohen fare lehtë. Por fatkeqësisht, në vend që të shihen këto detaje njerëzore, fokusi shpesh është vetëm te fasada apo ndërtimet e reja.
Ky denoncim i thjeshtë është thirrje për kujdes. Sepse një stol i shkatërruar nuk është vetëm mungesë infrastrukture, është mungesë respekti për njerëzit që vuajnë, që presin dhe që meritojnë të trajtohen me dinjitet.