Një qytetar nga Tirana ka sjellë në redaksinë tonë një situatë të rrezikshme të ndodhur pranë zonës së ish-Fushës së Aviacionit, ku dy vajza të reja janë filmuar duke lëvizur me monopatina elektrike në mes të rrugës, duke bllokuar kalimin e makinave dhe duke rrezikuar seriozisht veten dhe të tjerët.
Ngjarja, e cila është dokumentuar përmes një videoje të bërë nga makina e qytetarit, ka ngjallur shqetësim për mungesën e rregullave dhe kontrollit mbi përdorimin e mjeteve alternative të transportit në rrugë. Sipas denoncuesit, vajzat nuk mbanin as veshje mbrojtëse, nuk respektonin anën e duhur të rrugës dhe po lëviznin në mënyrë të pakujdesshme mes makinave.
“Publikojeni të merret ndonjë masë nga shteti me këto, se do na marrin në qafë. Tek ish-fusha e aviacionit, Tiranë”, shkruan qytetari.
Në mungesë të një kuadri të qartë ligjor dhe masash konkrete nga bashkia apo policia rrugore, gjithnjë e më shumë qytetarë po shprehin shqetësimin për mënyrën e papërgjegjshme se si përdoren skuterët elektrikë në kryeqytet. Shumë prej përdoruesve janë të mitur ose të rinj që lëvizin në mes të rrugës pa sinjalizim, pa mbrojtje dhe pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.
Ky fenomen është veçanërisht i rrezikshëm në rrugë të ngushta ose lagje të banuara, ku edhe një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të rënda për jetën e tyre dhe për drejtuesit e mjeteve.
Në një qytet ku trafiku është tashmë një sfidë më vete, mungesa e rregullit për përdorimin e mjeteve të reja të lëvizjes po kthehet në një problem serioz sigurie. Pyetja është: a do të presim ndonjë ngjarje tragjike, apo do veprohet tani?