Kanë kaluar më shumë se 8 muaj që rruga kryesore e fshatit Shtrez, në njësinë administrative Shishtavec është jashtë funksionit, duke u kthyer në një rrugë të paakesesueshme dhe duke izoluar banorët nga pjesa tjetër e zonës.
Problemi që ekziston prej kohës, ka mbetur pa zgjidhje nga ana e administratorit të njësisë, apo bashkisë Kukës me kryetar Albert Halilaj. Pavarësisht denoncimeve të bëra, apo premtimeve të dhëna nga ana e autoritetit përkatëse, rruga ende vijon të mbetet problem, madje dhe rrezik.
Tubacionet e vendosur për të kaluar lumin poshtë rrugës nuk janë të përshtatshme dhe nuk përballojnë volumin e ujit sidomos në stinën e reshjeve, teksa përbën rrezik për këmbësorët.
Rasti më u fundit ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për jetën e qytetarëve. Mësohet se një banor i fshatit ka thyer këmbën në këtë rrugë që vetëm si e tillë nuk mund të quhet. Bashkia Kukës nuk ka ndërmarrë ende një masë konkrete, ndërkohë që banorët kërkojnë me urgjencë ndërhyrje për të shmangur rreziqe të tjera që kërcënojnë jetën e banorëve. Kjo rrugë e amortizuar po u kushton banorëve dëmtime të gjymtyrëve.
“Pershendetje JOQ. Vijon problemi ne rrugen kryesore qe lidh fshatin Shtrez me zonat perreth. Ka prodhuar dhe pasoja. Nje banor i fshatit eshte rrezuar dhe ka thyer kemben. Ju lutem publikojeni si rast qe bashkia dhe drejtoria e rrugëve te marre masa”, shkruan qytetari për JOQ Albania.