Kryeministri Edi Rama deklaroi se ideja për të dërguar azilkërkues në vende të treta tregon degradimin e thellë të politikës britanike
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj planit të Britanisë së Madhe për të dërguar emigrantët e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta. Në një intervistë të parë për mediat ndërkombëtare (The Guardian) pas rizgjedhjes për një mandat të katërt, Rama u shpreh se një politikë e tillë nuk do të ishte e imagjinueshme para një dekade.
Ai e cilësoi planin britanik si simptomë e një realiteti të errët në të cilin ndodhet aktualisht vendi pas Brexit-it. Sipas tij, gjuha publike në Britani është transformuar në mënyrë dramatike dhe tashmë është normalizuar ajo që dikur konsiderohej e papranueshme dhe e turpshme.
Plani për “return hubs” u njoftua nga Keir Starmer gjatë një vizite në Ballkan në maj. Sipas këtij projekti, azilkërkuesit që kanë ezauruar rrugët ligjore do të dërgohen në qendra pritjeje në vende të treta për të përpunuar aplikimet e tyre. Rama theksoi se ky koncept është i papranueshëm për Shqipërinë.
“Dhjetë vite më parë, askush nuk do ta kishte imagjinuar që Britania të kërkonte vende për të hedhur emigrantët e padëshiruar,” deklaroi Rama nga Tirana. “Fakti që kjo po ndodh sot, nuk ka lidhje vetëm me Starmerin apo Sunakun, por me gjendjen e errët të vetë vendit.”
Rama shprehu keqardhje për nivelin e debatit publik në Mbretërinë e Bashkuar. Ai, si një admirues i kahershëm i kulturës britanike, u shpreh se ishte i tronditur nga ndryshimi i narrativës që pas largimit nga BE.
Marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shqipërisë ishin përkeqësuar ndjeshëm gjatë qeverive konservatore, sidomos pas deklaratave për “pushtim” nga emigrantët shqiptarë që mbërrinin me gomone. Vizita e Starmerit synonte një kapitull të ri në bashkëpunim, por Rama u distancua qartë nga skema.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama sqaroi se Shqipëria nuk ka pranuar dhe nuk do të marrë pjesë në këtë projekt. Ai nënvizoi se një propozim i tillë është refuzuar edhe nga Boris Johnsoni dhe Rishi Sunaku më parë.
Megjithatë, Rama pranoi se një marrëveshje e ngjashme ishte arritur me Italinë e Giorgia Melonit, për shkak të një “marrëdhënieje shumë të veçantë”. Ai tha se Italia kishte qenë pranë Shqipërisë që nga rënia e regjimit stalinist dhe kjo mbështetje ka lënë gjurmë të thella në opinionin publik shqiptar.
Sipas marrëveshjes me Italinë, emigrantët që kapen në det do të dërgohen për shqyrtim në qendra në territorin shqiptar, jo në Itali. Megjithatë, ky plan është përballur me kundërshtime ligjore.
Rama deklaroi se Shqipëria dhe Italia janë dy shtete të pavarura por me ndjeshmëri të përbashkët, për shkak të lidhjeve historike dhe solidaritetit të vazhdueshëm në kohë krize.
Duke iu referuar procesit të anëtarësimit në BE, Rama shprehu optimizëm të lartë. Ai beson se negociatat do të mbyllen deri në vitin 2027 dhe Shqipëria do të jetë vend anëtar para vitit 2030. Ky përshpejtim, sipas tij, është rezultat i një fryme të re gjeopolitike në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë.
Ai vuri në dukje se edhe fitorja e Donald Trumpit në SHBA kishte sjellë një tronditje të nevojshme për Evropën. “Trump ka qenë një thirrje zgjimi për Bashkimin Evropian”, tha Rama, duke shtuar se e sheh kthimin e tij si diçka pozitive për kontinentin.
Rama u shfaq i bindur se angazhimi i tij për integrimin evropian është në kulmin e suksesit. Ai premtoi se pas arritjes së qëllimit strategjik, do të dorëzojë drejtimin e vendit, duke e quajtur atë momentin më të përshtatshëm për një tranzicion politik.
Por ajo që Rama harroi të përmendë në këtë intervistë është bashkëpunimi me opozitën për një kod zgjedhor që i jep pushtet absolut, harroi të përmendë tenderat korruptivë në zhvillimin rural dhe planifikimin urban, harroi të përmendë korrupsionin i cili përfshin nivele të larta qeveritare, harroi kryetarin e bashkisë që e ka në burg. Mbi të gjitha kryemistri harroi odisenë e ministrave të brendshëm, që pa mbaruar mandatin, futeshin në burg për trafik ndërkombëtar droge.
Kryeministri shqiptar përgatitet të nisë një tur falënderues në diasporë, pas një fitoreje në zgjedhjet e fundit. Për herë të parë, shqiptarët jashtë vendit morën pjesë në votim, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor, në një proces që u kontestua nga opozita për shkak të trenit bullgar.
Rreth 500 mijë shqiptarë jetojnë në Greqi, dhe Rama shpreson të nxisë rikthimin e tyre, duke argumentuar se pagat në Shqipëri janë gjithnjë e më të afërta me ato në shtetin fqinj dhe se vendi i tyre është “shtëpia” e tyre. Por zor se shqiptarët e hanë këtë “kallëp”. Ata e dinin mirë të ardhmen e Shqipërisë në sistemin post komunist prandaj vendosën të largoheshin vite më parë. Madje çdo tentativë rikthimi është një aventurë e rrezikshme individuale, me pasoja në funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e tregjeve në vend.
Por përkundër mbështetjes ndërkombëtare, kritikat ndaj Ramës në vend nuk shuhen. Ai përballet me akuza të tjera për autoritarizëm, duke u krahasuar me udhëheqësit e së kaluarës, ndonëse mbështetësit e quajnë një lider të jashtëzakonshëm.
Në fund, Rama e cilëson suksesin e Shqipërisë drejt BE-së si një kontribut për një Evropë më e gjallë dhe më pak e mërzitshme. Për të, anëtarësimi nuk është vetëm një mision kombëtar, por një vizion për një Evropë më optimiste, edhe pse gjasat që Shqipëria të arrijë të bëhet pjesë e korsisë së shpejtësisë me të cilën ecën jeta në Europë janë thuajse minimale.