Pavarësisht se sezoni turistik ka nisur dhe pushuesit kanë mbushur plazhe e vendit, në bregdetin e Himarës, në zonën e Livadhit vijon puna me makineri të rënda ndërtimi. Një pushues ka kontaktuar me redaksinë e JOQ dhe raporton se zhurmat e punimeve nisin që në mëngjes herët duke prishur qetësinë dhe komoditetin e turistëve vendas e të huaj.
Në një video të dërguar në redaksi, duket qartë se si makineritë e rënda vijojnë punën pranë çadrave të plazhit pa asnjë kriter apo respekt për pushuesit që kanë shkuar në Livadh për qetësi. Kjo konsiderohet si mungesë totale respekti për pushuesit dhe jetën turistike. Banorët dhe turistët pushues në këtë plazh kërkojnë që punimet të ndalen menjëherë.
Nuk mund të vijojë puna e ndërtimeve të objekteve që zaptojnë plazhet e vendit edhe në sezon turistik. Pushuesit janë aty për të pushuar jo për të dëgjuar zhurmat e makinerive të ndërtimit. Bashkia Himarë me në krye Vangjel Tavon, IKMT dhe policia bashkiake duhet të veprojnë për mbikëqyrjen e veprimtarive ndërtimore dhe ruajtjen e rendit publik gjatë sezonit turistik.