Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ situatën shqetësuese në të cilën ndodhen shumë punonjës sezonalë në jug të vendit, duke vënë theksin te një rast konkret: “Rapos Resort Hotel” në Himarë.
Sipas denoncuesit, në intervistat për punë premtohen kushte të mira pune dhe një pagë e kënaqshme, por realiteti është krejt tjetër. Ai shprehet se punëdhënësit nuk i përmbahen asnjë prej premtimeve, duke ofruar kushte të mjerueshme dhe duke përgjysmuar pagat në fund të muajit.
Madje, në disa raste, punonjësit nuk marrin asgjë nga pronari Thanas Rapo, pavarësisht përkushtimit në punë. Ky i fundit është ortak në hotel me Sokol Tushen, me vëllain e ish-drejtorit të Erion Veliajt, Taulant Tushen.
DENONCIMI:
"Përshëndetje JOQ,
Dua të bëj një denoncim në lidhje me këto bizneset sezonale dhe papërgjegjshmërinë totale të tyre. Përpos faktit që në intervistë premtohen shumë gjëra, si kushte mjaft të mira pune dhe një pagë e kënaqshme, asnjëra prej tyre nuk ekziston. Janë disa biznese të cilat nuk i përmbahen aspak fjalës, por kryesori ku dua të ndalem është “Rapos Resort Hotel” në Himarë. Kushtet janë të mjerueshme dhe pagat përgjysmohen në fund të muajit. Qëndrimi korrekt në punë vlerësohet duke marrë vetëm 60% të pagës së premtuar, ose në rastet më të mira nuk merret fare. Mungesa e higjienës në “resort” është mjaft e dukshme dhe ajo që lë më shumë për të dëshiruar është jokorrektësia ndaj punëtorëve dhe mungesa e komunikimit të përshtatshëm – thuajse zero – nga eprorët. Ajo që më habit më shumë është fakti se askush nuk ngre zërin, por mesa duket “5 yjet” ua mbyllin gojën të gjithëve.
Megjithatë, i uroj më të mirat dhe i pafshin hajrin lekëve të lodhjes së punëtorëve."