Rritja e bizneseve të vogla në Tiranë dhe Durrës po ndjek lëvizjet demografike, ndërsa qarqet e tjera po zbrazën dhe po përjetojnë rënie të ndjeshme ekonomike
Ekonomia shqiptare po ndjek me ritëm të përshpejtuar zhvendosjen demografike, ku gjithnjë e më shumë aktivitete ekonomike dhe biznese të vogla po përqendrohen në zonat urbane të Tiranës dhe Durrësit. Ndërkohë, pjesa më e madhe e qarqeve të tjera po përjeton tkurrje të vazhdueshme.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se në vitin 2024 numri i bizneseve me 1 deri në 4 punonjës është rritur vetëm me 1% në nivel kombëtar. Megjithatë, rritja është selektive dhe e përqendruar, duke sjellë rënie të theksuara në shumicën e qarqeve të vendit.
Korça ka pësuar goditjen më të madhe, me 312 biznese më pak krahasuar me vitin 2023, një rënie prej mbi 5%. Pas saj renditet Elbasani me një tkurrje prej 302 biznese ose −4.07%, ndërsa Gjirokastra ndjek me një rënie prej 2%. Shkodra, Dibra, Berati, Fieri dhe Kukësi kanë pësuar gjithashtu ulje më të lehta.
Në kahun tjetër qëndron Tirana, e cila ka regjistruar një shtesë prej 1,489 biznese të reja të vogla, duke reflektuar një rritje prej 2.81%. Kjo përforcon rolin e kryeqytetit si qendra kryesore ekonomike dhe e tërheqjes së kapitalit njerëzor dhe sipërmarrës.
Durrësi dhe Vlora kanë ndjekur të njëjtin trend pozitiv. Durrësi ka regjistruar 286 biznese më shumë (+2.46%), ndërsa Vlora 152 biznese të reja (+1.55%). Ky zhvillim lidhet ngushtë me zgjerimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e kërkesës për shërbime në këto zona bregdetare.
Përkundrazi, qarqet që po përjetojnë largimin masiv të popullsisë dhe emigracionin po vuajnë mungesën e konsumatorëve dhe fuqisë punëtore, duke sjellë tkurrje ekonomike të ndjeshme. Rënia e bizneseve të vogla shpesh përbën sinjalin e parë të boshatisjes së një komuniteti.
Bizneset me 1 deri në 4 punonjës përfaqësojnë shpesh struktura familjare, që janë thelbësore për ekonominë vendore. Shtimi i tyre është një tregues i shëndetit ekonomik të një zone, ndërsa pakësimi i tyre paralajmëron rënie të konsumit, pasivitet social dhe rritje të varfërisë.
Sipas analizës së INSTAT-it, Tirana dhe Durrësi janë të vetmet qarqe që kanë përjetuar rritje të ndjeshme të popullsisë falë migrimit të brendshëm. Pjesa më e madhe e popullsisë aktive ka lënë zonat si Dibra, Kukësi, Gjirokastra dhe Elbasani për të kërkuar mundësi më të mira në qendrat urbane.
Ky zhvendosje e vazhdueshme ndikon drejtpërdrejt në ekonominë lokale dhe në strukturën e kërkesës. Zonat urbane janë duke përjetuar një rritje të konsiderueshme të nevojës për shërbime në gastronomi, transport, teknologji dhe aktivitete të tjera të lidhura me jetën e përditshme.
Në të njëjtën kohë, ky ndryshim po e përshpejton zbrazjen e territorit në qarqet periferike, ku mungesa e investimeve, infrastrukturës dhe politikave mbështetëse po i lë komunitetet pa perspektivë zhvillimi.