Tortura nuk ka justifikim: çdo shtet duhet të ndalojë dhe ndëshkojë çdo formë abuzimi të qëllimshëm ndaj individëve
Në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, theksoi se torturuesit nuk duhet të shpëtojnë nga drejtësia dhe se sistemet që e mundësojnë këtë krim duhet të çmontohen ose të reformohen thellësisht.
Tortura është rreptësisht e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare. Asnjë rrethanë – qoftë emergjencë kombëtare, luftë apo kërcënim – nuk mund të shërbejë si arsye për ta justifikuar. Kur zbatohet në mënyrë sistematike, tortura përbën një krim kundër njerëzimit, dhe çdo shtet, pa përjashtim, ka detyrimin ta ndalojë dhe ndëshkojë.
Organizatat ndërkombëtare dhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar torturën si një nga aktet më të neveritshme që mund të ushtrojë një njeri mbi tjetrin. Kjo ditë i shërben kujtesës, ndërgjegjësimit dhe thirrjes për veprim për të gjithë shoqëritë që ende përballen me praktika të tilla.
Që prej 12 dhjetorit 1997, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi që 26 Qershori të njihej si Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, synimi ka qenë i qartë: zhdukja përfundimtare e torturës dhe zbatimi i plotë i Konventës kundër saj.
Statistikat e fundit nxjerrin në pah një rritje alarmante të rasteve të torturës, të lidhura ngushtë me shpërthimin e konflikteve të armatosura në shumë zona të botës. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në mbarë globin janë të hapura aktualisht rreth 100 luftëra.
Justifikimi më i zakonshëm që përdoret është “siguria kombëtare” apo “mbrojtja e kufijve”. Por pasojat e torturës nuk ndalen vetëm te viktimat; ato shtrihen te familjet dhe komunitetet, duke nxitur një trashëgimi të dhimbshme dhune që mund të përsëritet ndër breza.
Përballë këtij realiteti, kërkohet angazhim i menjëhershëm dhe pa kompromis nga shtetet për të ndëshkuar përgjegjësit dhe për të ndërtuar sisteme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut që nuk tolerojnë asnjë formë abuzimi fizik apo psikologjik.