SPAK përgatitet për përplasje të reja në vjeshtë, ndërsa Altin Dumanit i skadon mandati dhe përflitet për një rol politik që mund të tronditë kastën e vjetër
Prokuroria e Posaçme pritet të jetë në qendër të zhvillimeve më të nxehta të vjeshtës, në një kohë kur institucionet e drejtësisë po futen në një fazë të re riorganizimi dhe lëvizjesh të brendshme që paralajmërojnë ndryshime të thella.
Një prej lëvizjeve që ka ngjallur reagime të shumta është shkarkimi i Arben Krajës nga posti i drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë në SPAK. Ky vendim, i marrë në heshtje dhe pa ndonjë sqarim publik, është pasuar nga emërimi i prokurores Dorina Bejko, një figurë pa përvojën ndërkombëtare që kishte paraardhësi i saj.
Kjo lëvizje vjen në një moment kritik për SPAK-un, kur në vjeshtë do të zhvillohen dy procese të rëndësishme: përzgjedhja e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut. Mandati aktual i Altin Dumanit përfundon në dhjetor 2025, dhe ai synon të qëndrojë edhe për një mandat tjetër.
Emërimi i Dumanit në vitin 2022 u bë pas një presioni të fortë ndërkombëtar. Madje ambasadorja amerikane në atë kohë, Yuri Kim, mori pjesë vetë në mbledhjen e KLP-së për të ndikuar në rezultat. Kjo ndërhyrje i siguroi Dumanit një fitore me një diferencë minimale votash.
Sot, klima është më e ashpër dhe më e ndarë. Shkarkimi i Krajës dhe afrimi i figurave që i qëndrojnë besnike Dumanit shihet si një përpjekje për të ndërtuar një strukturë që i garanton atij mbështetje të brendshme. Veçanërisht përballë sfidave me partnerët ndërkombëtarë dhe vendimeve që kërkojnë koordinim të lartë.
Nën drejtimin e Dumanit, SPAK-u ka ndërmarrë disa goditje të bujshme: Sali Berisha është në proces hetimi, Ilir Meta në burg dhe Erion Veliaj është arrestuar. Fillimisht, këto masa u interpretuan si sulm ndaj qeverisë, por më pas Edi Rama ndryshoi qasje dhe nisi ta mbështeste SPAK-un publikisht.
Kjo përkrahje nuk është pa arsye. Burime nga skena politike sugjerojnë se arrestimi i Veliajt shërbeu si sinjal për të ndalur hetimet më lart. Rama ka lëshuar disa deklarata që lënë të kuptohet se kërkon që hetimet të mos prekin nivelet më të larta të pushtetit.
Në të njëjtën kohë, po qarkullojnë zëra se Dumani mund të përfshihet në politikë pas mbarimit të mandatit. Ky skenar është përfolur në qarqe diplomatike dhe institute europiane, duke u krahasuar me modelin rumun të Laura Kövesi, e cila u tentua të përfshihej në politikë për të përmbysur sistemin e korruptuar në Bukuresht.
Në Shqipëri, skenari duket më i realizueshëm. Dumani ka një mbështetje popullore në rritje, dhe sipas një sondazhi të transmetuar nga një media në Tiranë, ai gëzon besim më të lartë se shumë figura të njohura publike, përfshirë vetë përfaqësuesit diplomatikë.
Një lëvizje e tij drejt politikës do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Edi Ramën. Nëse Dumani përqafohet nga opozita dhe mbështetet nga qytetarë të zhgënjyer nga klasa politike, ai mund të dalë si një alternativë e vërtetë për qeverisjen.
Kjo e detyron Ramën që të mos përplaset me të publikisht. Ai po tenton të mbështesë rikonfirmimin e Dumanit në krye të SPAK-ut, me shpresën që ai të mos e shfrytëzojë pozitën për të ndërtuar një profil politik që do të mund të sfidonte pushtetin në të ardhmen.
Ndërkohë, Berisha po shfaqet më agresiv ndaj Dumanit, duke e etiketuar në mënyrë ironike si “Altin Troplini” dhe duke rritur presionin verbal ndaj tij në deklarata publike.
Nëse Dumani vendos të hyjë në politikë dhe përfiton mbështetje ndërkombëtare, ai mund të shërbejë si figura që bashkon opozitën e fragmentuar dhe pakënaqësinë që po rritet edhe brenda vetë mazhorancës.
Për këtë arsye, zhvillimet e vjeshtës janë thelbësore. Nëse Dumani qëndron në drejtimin e SPAK-ut ose zgjedh rrugën e politikës, çdo skenar mund të ndryshojë balancat në vend.
Përballja e radhës nuk do të jetë thjesht institucionale. Ajo do të përcaktojë se cili do të jetë drejtimi politik i Shqipërisë në vitet që vijnë, dhe nëse për herë të parë, drejtësia do të ketë forcën të prodhojë një figurë politike jashtë skemave tradicionale.