Një qytetar ka sjellë pranë redaksisë së JOQ Albania një rast të pazakontë, që ka shkaktuar debat në rrjet. Bëhet fjalë për një varr të improvizuar për një kafshë shtëpiake, i ndërtuar në buzë të rrugës nacionale drejt Dajtit, pranë fshatit Priskë.
Siç duket edhe në foton e dërguar, varri është i rrethuar me gardh të bardhë druri dhe me një portret të vendosur mbi tokë, duke i dhënë formë të plotë një “varreze të personalizuar”, në një hapësirë publike, buzë rrugës.
Denoncuesi shpreh shqetësimin për këtë fenomen të ri, duke e krahasuar me valën e lapidarëve dhe memorialeve që dikur shfaqeshin në çdo 10 metra të rrugëve, duke shkaktuar ankth te kalimtarët e sidomos fëmijët.

“E kuptoj lidhjen emocionale me kafshën, por nuk është normale të bëhen varre buzë rrugëve publike. Të mendosh që shumë njerëz mezi gjejnë vend për të varrosur të afërmit e tyre, ndërsa këtu bëhen varre luksoze për qentë, në mes të rrugës”, shkruan qytetari i shqetësuar.
Përpos ndjeshmërisë ndaj kafshëve dhe respektit për kujtimet, ngjarje të tilla rikthejnë diskutimin mbi hapësirat publike, mungesën e rregullave për këtë lloj sjelljeje dhe kufirin mes dhimbjes personale dhe normave kolektive.
Mesazhi i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ, duke marrë shkas nga disa postime të mëparshme që kam parë tek ju, po ju nis një rast që hasa sot në rrugën nacionale të Dajtit, pranë fshatit Priskë. Në buzë të rrugës kishin organizuar një varr të një kafshe shtëpiake. Ne si popull mezi e hoqëm mentalitetin e lapidarëve e tufave me lule në rrugë, se po na tmerrroheshin kalamajt – çdo 10 metra nga një lapidar. Tani na shtohen varret e qenve në çdo buzë rruge. E kuptoj lidhjen me kafshën, por edhe kjo gjë s’është normale. E ta mendosh që gjysmës së këtyre ju kanë zënë ferra varret e familjarëve, këtej na bëjnë varre kot më kot rrugëve!"