Një turist norvegjez u përjashtua nga SHBA pasi zyrtarët zbuluan në telefonin e tij një meme ku tallej zëvendëspresidenti JD Vance, duke ngritur shqetësime për kufizimin e lirive në hyrjet ndërkombëtare.
Një qytetar norvegjez është dëbuar nga SHBA vetëm pak orë pasi mbërriti për të kaluar pushimet. Mads Mikkelsen, 21 vjeç, ndodhej në aeroportin e Newark, në New Jersey, më 11 qershor kur autoritetet e ndaluan dhe i kërkuan të kontrollonin telefonin.
Sipas rrëfimit të tij për median norvegjeze Nordlys, kontrolli kufitar e ndaloi menjëherë pas mbërritjes, duke e futur në një dhomë ndalimi dhe më pas e riktheu në vendin e tij. Arsyeja, sipas tij, ishte një meme që përqeshte JD Vance, zëvendëspresidenti i ri i SHBA-së, ku ai paraqitej me pamje të ndryshme për qëllime ironike.
Gjatë marrjes në pyetje, Mikkelsen tregon se u përball me pyetje të papritura, që varionin nga ekstremizmi i djathtë te terrorizmi dhe trafiku i drogës. Ai tha se u detyrua t’u jepte oficerëve fjalëkalimin e telefonit, pas një presioni të vazhdueshëm.
Pas kontrollit të përmbajtjes në telefonin e tij, sipas pretendimeve të Mikkelsen, zyrtarët e emigracionit e informuan se do të dëbohej menjëherë. Ai e cilësoi këtë veprim si “abuzim flagrant me pushtetin” dhe theksoi se nuk kishte asnjë qëllim provokues.
Ky nuk është rasti i vetëm i këtij lloji. Vetëm një ditë më pas, një autor australian, Alistair Kitchen, u ndalua për 12 orë në aeroportin e Los Angeles dhe më pas u kthye në Melburn. Kitchen pretendoi se qëndrimet e tij politike pro-palestineze dhe shkrimet në mbështetje të protestave në universitetin Columbia ishin shkaku i ndalimit.
Megjithatë, autoritetet amerikane kanë mohuar çdo lidhje mes qëndrimeve politike dhe ndalimeve të shtetasve të huaj. Departamenti i Sigurisë Kombëtare e cilësoi pretendimin e autorit australian si “plotësisht të pavërtetë”.
Rastet e fundit kanë nxitur debat në rrjetet sociale për kufizimet në hyrjet ndërkombëtare dhe nëse postimet personale, qoftë edhe me përmbajtje satirike, mund të përdoren si arsye për përjashtim nga SHBA.