Shqiptarët paguajnë më shumë për shërbimet celulare, ndërsa operatorët ulin njësitë dhe rrisin tarifat bazë çdo vit
Çmimet e shërbimeve të komunikimit në Shqipëri janë ndër më të lartat në Europë, sipas të dhënave të fundit nga Eurostat. Indeksi i çmimeve për vitin 2023 rezultoi 2.7% mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke konfirmuar një prirje në rritje që ka prekur veçanërisht përdoruesit e telefonisë celulare.
Tregu celular në vend është rikthyer në monopolin e dy operatorëve, një strukturë që nuk shihej që prej vitit 2008. Hyrja e përkohshme në treg e Eagle Mobile dhe Plus Communication solli ulje të tarifave, por të dy dështuan të qëndrojnë konkurrues. Dalja e Plus nga tregu në 2018 dhe shitja e Albtelecom tek grupi hungarez 4iG, i cili bleu edhe ONE, e çuan sektorin drejt centralizimit të lartë.
Kjo ulje e konkurrencës ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve. Paketat bazë me parapagesë janë shtrenjtuar me 100 deri në 200 lekë gjatë dy viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, operatorët kanë ulur volumin e njësive të përfshira, duke orientuar konsumatorët drejt paketave më të shtrenjta.
Tarifat e operatorëve telefonikë. Burimet: Eurostat, Monitor.
Një tjetër faktor që po ndikon është kalimi drejt rrjetit 5G, i cili kërkon investime të mëdha teknologjike. Këto investime po reflektohen direkt në tarifat që paguajnë përdoruesit.
Të dhënat nga AKEP tregojnë se në vitin 2023, një përdorues mesatar shpenzoi rreth 7900 lekë për shërbime celulare, me një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë. Ky tregues, i njohur si ARPU, llogaritet mbi të ardhurat nga shitjet me pakicë dhe numrin e përdoruesve aktivë.
Rritje ka pasur edhe në koston për minutë të thirrjes. Sipas raportit të AKEP, në vitin 2023 çdo minutë telefonatë kushtoi mesatarisht 4.78 lekë, një rritje prej 27% krahasuar me vitin paraardhës. Ky indikator i njohur si ARPM mat të ardhurat nga thirrjet dalëse për çdo minutë komunikimi.
Ndërsa çmimet për qytetarët janë rritur, operatorët kanë arritur fitime. Gjatë vitit të kaluar, të dy operatorët kryesorë të tregut realizuan një fitim total prej 619 milionë lekësh, ndërsa qytetarët paguajnë çmime të kripura, për oferta me shërbime të limituara. Një problem tjetër mbeten kontratat, të cilat i detyrojnë qytetarët të marrin shërbimet edhe nëse nuk kanë më nevojë ose në të kundërt i paguajnë operatorëve telefonike gjoba të majme.