Donald Trump i quan sulmet ndaj Iranit ndër më të suksesshmet, por refuzon çdo ndërhyrje për të përmbysur regjimin iranian
Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar me ton triumfues mbi operacionin ajror të ndërmarrë ndaj Iranit, duke e cilësuar si “një nga sulmet më të suksesshme ushtarake në histori”. Gjatë një udhëtimi me avionin presidencial, ai u ndal tek efektiviteti i goditjeve, të cilat, sipas tij, shkatërruan plotësisht tre centrale bërthamore të Iranit.
Në një deklaratë për mediat, Trumpi kundërshtoi zërat që venë në dyshim suksesin e misionit, duke theksuar se “goditjet ishin perfekte dhe objektivat u neutralizuan plotësisht”. Ai nuk kurseu kritikat ndaj mediave amerikane, të cilat i akuzoi për keqinterpretim të ngjarjeve dhe përpjekje për të njollosur një prej operacioneve më të suksesshme ushtarake të dekadës.
Përmes rrjeteve sociale, Trumpi ka vijuar sulmet ndaj disa mediave, të cilat, sipas tij, kanë dashur të “hedhin baltë mbi një operacion të përkryer nga ushtria amerikane”. Ai kërkoi që publiku të mos bjerë pre e raportimeve “të shtrembëruara”.
Pavarësisht retorikës së ashpër ndaj Iranit, Trumpi u tregua i rezervuar kur u pyet për qëndrimin e tij mbi ndryshimin e regjimit në Teheran. “Ne nuk po kërkojmë ndryshim regjimi. Kjo sjell vetëm kaos dhe nuk kemi nevojë për më shumë trazira në rajon,” u shpreh ai me tone të qarta shmangieje.
Në mënyrë të papritur, Trumpi ndau edhe një episod telefonik me presidentin rus Vladimir Putin. “Ai më telefonoi për të ofruar ndihmë në menaxhimin e krizës me Iranin. I thashë se nuk më duhej ndihma e tij për Iranin, por ndihma e tij me konfliktin Rusi-Ukrainë”, rrëfeu ish-presidenti pa sqaruar më shumë detaje mbi bisedën.
Komentet e Trumpit vijnë në një periudhë të nxehtë për Lindjen e Mesme, me tensione të shtuara mes SHBA-së dhe Iranit. Diskutimet mbi pasojat e operacionit ajror dhe debati mbi qëllimet afatgjata të Uashingtonit ndaj Teheranit kanë marrë dhenë në të gjitha mediat ndërkombëtare.