“S’po flemë dot nga zhurmat as ditën e as natën, punojnë kur ju teket!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.06.2025, 23:54

Një situatë shqetësuese është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar që jeton pranë Spitalit Amerikan 2 në Tiranë, në zonën midis rrugës Selaudin Zorba dhe Kristina Koljaka.

Sipas denoncimit, banorët janë të tmerruar nga zhurmat e dhe tymi i rëndë që vjen nga një kantier ndërtimi që punon pa asnjë orar të përcaktuar, madje shpesh edhe gjatë orëve të natës.

“Kanë që në dimër që punojnë orar pa orar, madje në shumicën e rasteve gjatë natës. S’po flemë dot gjumë as ditën dhe as natën. A ka shtet që të marrë masa për këtë prishje qetësie?” – shprehet qytetari i revoltuar.

Ai tregon se vetëm një herë ka ndërhyrë policia, dhe ajo ishte në fillim të punimeve, kur u shembën disa objekte për të hapur terrenin dhe u krijua një re e madhe tymi.

“Që prej asaj dite, policia kalon çdo natë me sirena ndezur në lagje, por zhurma dhe tymi s’u bëjnë fare përshtypje.”

Banorët raportojnë se punimet ndalen vetëm për pak minuta dhe nisin sërish në orare të paimagjinueshme: në 2 apo 3 të mëngjesit, pastaj në 6 të mëngjesit sërish. “Punojnë kur t’ju teket,” – thotë qytetari. “Zhurma është e tmerrshme dhe tymi po ashtu. Nuk kuptojmë si mund të kenë marrë leje për të punuar kështu, pa orar dhe pa kontroll.”

Aktualisht në zonë po bëhen gërmime dhe po hidhen materiale ndërtimi, duke shkaktuar ndotje akustike dhe atmosferike që sipas banorëve po ua bën të pamundur jetesën normale, sidomos për ata që punojnë apo ndjekin shkollën.

“Minimumi që kërkojmë është të mos punojnë natën. Edhe ne kemi të drejtë të flemë,” – përfundon qytetari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit