Kurti: Opozita po i zgjat jetën qeverisë sime, nuk kemi marrëveshje të fshehtë me askënd
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën se po pengon qëllimisht formimin e institucioneve të reja dhe po zgjat qëndrimin e qeverisë aktuale në detyrë. Sipas tij, sjellja e partive kundërshtare bie ndesh me logjikën politike, duke mos ndjekur shembullin e opozitave demokratike në vende të tjera.
Kurti deklaroi se ndodhet tashmë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të tij, ndërkohë që opozita – në vend që të kërkojë përshpejtimin e zgjedhjeve – po ndihmon në zgjatjen e qëndrimit të tij në pushtet. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë marrëveshje mes tij dhe opozitës për këtë situatë, duke e quajtur një supozim të pavërtetë.
“Unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare, që siç jeni dëshmitarë të gjithë, po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale.”
Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet, por kjo nuk është e vërtetë,-u shpreh Kurti. Ai nënvizoi nevojën për konstituimin e Kuvendit përmes një votimi të fshehtë, duke theksuar se çdo vonesë rrit krizën institucionale.
Kryeministri në detyrë mohoi ekzistencën e një qeverie të re Kurti III, duke theksuar se aktualisht ka vetëm një qeveri në detyrë që ai e quan “Kurti 2.5”. Ai bëri thirrje për bashkëpunim në krijimin e Kuvendit, duke i kujtuar opozitës se kjo nuk është detyrë vetëm e subjektit fitues, por e të gjithëve.
Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës. Sa më herët që konstituojmë Kuvendin me votim të fshehtë, aq më shpejt do të jemi te qeveria e re. Ndërkohë që s’ka qeveri të re Kurti III. Ka qeveri në detyrë, Kurti 2.5,- deklaroi kryeministri Kurti.
Kurti i bëri thirrje opozitës që të lërë mënjanë bllokadat dhe të ndihmojë në themelimin e Kuvendit, në mënyrë që brenda 15 ditëve ai të ketë mundësinë të provojë shumicën parlamentare për krijimin e qeverisë. Ai tha se, nëse nuk e merr besimin e deputetëve, atëherë do të jetë opozita ajo që do të vendosë për qeverinë e ardhshme.
Në lidhje me negociatat për një marrëveshje politike, Kurti zbuloi se kishte bërë përpjekje për kompromis me partitë e tjera, por këto përpjekje ishin refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas tij, ky qëndrim ka çuar në bllokimin e proceseve demokratike.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar 36 herë të konstituohet, për shkak të refuzimit nga ana e opozitës për të pranuar mënyrën e votimit dhe kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare parlamenti, duke mbajtur peng funksionimin e institucioneve të reja.