Netanyahu: Eliminuam kërcënimin bërthamor dhe balistik, një fitore që do të mbahet mend për breza të tërë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur marrëveshjen e armëpushimit me Iranin një nga arritjet më të mëdha në historinë e shtetit të tij. Në një deklaratë për mediat, ai e cilësoi këtë zhvillim si “fitore historike”, duke theksuar se “dy kërcënime ekzistenciale” janë neutralizuar: programi bërthamor i Iranit dhe rreziku nga raketat balistike.
Sipas tij, nëse Izraeli nuk do të kishte ndërmarrë këtë fushatë ushtarake, vendi do të ishte përballur me shkatërrim të mundshëm. Ai deklaroi se Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) kanë arritur të eliminojnë një pjesë të madhe të strukturës komanduese iraniane.
Netanyahu tha se janë vrarë tre komandantë të lartë, si dhe disa shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian. Ai theksoi gjithashtu se gjatë operacionit, janë shkatërruar objektet kryesore bërthamore në qytetet Isfahan, Natanz dhe Arak.
Përveç përfitimeve ushtarake dhe strategjike, Netanyahu vlerësoi lartë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke veçuar Presidentin amerikan Donald Trump për rolin vendimtar në ndërhyrjen ndërkombëtare.
“Presidenti Trump ka qëndruar përkrah nesh në mënyrën më të fortë të mundshme. Nën drejtimin e tij, forcat amerikane shkatërruan një nga qendrat më të mbrojtura të pasurimit të uraniumit, atë në Fordo,” deklaroi Netanyahu.
Ai përfundoi deklaratën e tij me mesazhin se siguria e Izraelit është forcuar ndjeshëm dhe se kjo fitore do të kujtohet si një moment kyç në historinë e kombit. Kryeministri la të kuptohet se ndonëse armëpushimi është arritur, vigjilenca ndaj Iranit do të vijojë.